Aksidentimi ditë më parë i 20-vjeçarit Fiori Sula në Elbasan, i cili u përplas nga një makinë që drejtohej nga personi i identifikuar me emrin Aristir Dimo, konsull nderi në Bullgari, ka bërë që sot disa qytetarë të protestojnë në Elbasan.
Ata kanë protestuar sot në Unazën Jugore të Elbasanit, teksa kanë bllokuar rrugën përkohësisht, duke bërë thirrje që të forcohen masat e kontrollit në këtë segment rrugor me rrezik për jetën e këmbësorëve.
Ata gjithashtu kanë kërkuar ndërtimin e një nënkalimi në Unazën Jugore, ku aksidentet gjatë viteve të fundit kanë qenë të shumta.
Mungesa e mbikalimeve e nënkalimeve në Unazën e Elbasanit shpesh është bërë shkak për aksidente të shumta të këmbësoreve të cilët janë të detyruar të kalojnë përmes rrugës nacionale për të shkuar të shtëpitë e tyre
Pas aksidentit shoferi i mjetit 65- vjeç është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa arrestimi i tij është bërë më datë 27 janar. Aristir Dimo do të përballet me akuzën për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".



