Pretendimi fals i Nicki Minaj për vaksinat anti-COVID

Pretendimi fals i Nicki Minaj për vaksinat anti-COVID

Nicki Minaj! Ju thotë gjë ky emër? Me siguri po. Nicki Minaj është një këngëtare amerikane shumë e njohur, shumë e famshme. Ajo është shquar në këtë botë për faktin që në muzikën Rap është një nga pak këngëtaret vajza. Në panoramën muzikore të Rap-it, vajzat nuk para shfaqen. Dhe kjo është një nga arsyet që Nicki Minaj është e njohur.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që tekstet e këngëve të saj janë vulgare, ashtu si në përgjithësi, janë, në fakt, tekstet e këngëve të muzikës Rap; ashtu si shijet e shumicës së njerëzve në këtë botë janë vulgare (dhe ky është një opinion ngushtësisht personal).

Sepse me këtë argument mund të shpjegohet fakti që njerëz si Nicki Minaj, përveç se janë të suksesshëm, janë edhe njerëz me ndikim të madh në shoqëri. Nëse futeni në YouTube, ju do të zbuloni që këngët e videoklipet e Nicki Minaj-it shihen nga dhjetëra e qindra milionë njerëz. Madje, ka këngë të saj që kanë më shumë se një miliard shikime. Në Twitter, Nicki Minaj ka miliona ndjekës. Rreth njëzet e pesë milionë ndjekës. Dhe këtyre të fundit, këto ditë, ajo u ka dhënë një lajm interesant. Një lajm i cili më pas u mor nga të gjitha agjencitë informative të botës, nga të gjitha burimet e lajmeve, dhe e publikuan si lajm të vërtetë e serioz.

Ajo ç’ka Nicki Minaj postoi në Twitter ishte një lajm shumë i thjeshtë. Në Trinidad dhe Tobago, ku ajo ka lindur, një miku i një kushëriri të saj kishte bërë vaksinën anti-COVID, dhe efekti i vaksinës kishte qenë i pazakontë, atipik. Ishte një efekt që nuk është përfshirë deri më sot në listën e efekteve anësore të vaksinave. Sipas Minaj, vaksina i shkaktoi fryrje të testikujve këtij djali, dhe e bëri impotent. Ai ishte përpara martesës. Do të martohej në pak javë. Por për shkak të impotencës së shkaktuar, nusja e braktisi dhe dasma nuk u bë. Ky ishte lajmi që nxori Nicki Minaj. Ishte një lajm “fake”. Një lajm i rremë, pjesë e strategjisë (ndoshta e bërë prej saj në mënyrë të pavullnetshme) për të diskredituar fushatën e vaksinimit, apo për ta nxjerrë fushatën e ndërgjegjësimit për t’u vaksinuar ndaj COVID-it si një fushatë që synon gjëra të natyrës politike, gjeopolitike etj., etj.

Autoritetet e Trinidad dhe Tobagos u shqetësuan nga ky lajm dhe ndërmorën një hetim të gjerë për të gjetur personin që kishte mbetur impotent, pasi kjo çështje lidhej drejtpërdrejtë me efektivitetin e vaksinës. Por në fund të hetimit, rezultoi se nuk kishte asnjë person të tillë. Dhe për këtë arsye, autoritetet e Trinidad dhe Tobagos e përgënjeshtruan lajmin.

Në fakt, në Amerikë, përpara se të dilnin rezultatet e hetimit të kryer në Trinidad dhe Tobago, doktorë dhe shkencëtarë të ndryshëm, i dhanë mesazhe publikut të mos ua vinte veshin njerëzve të tillë, dhe mesazheve të tillë që janë të rreme. Ku ka arritur bota!!! Shkencëtarëve u duhet të administrojnë, apo të minimizojnë dëmet e kryera prej veprimeve e ideve të një personi si Nicki Minaj, e cila në fjalorin e saj të përditshëm ka më së shumti fjalët fuck, dick dhe bitch. Ja, këtu ka arritur bota!

Por kjo është një garë e fituar që në gjenezë prej Nicki Minaj dhe sojit e sërës së saj, sepse këta janë njerëz që (duke lënë suksesin mënjanë) kanë ndikim të madh në shoqëri. Siç ju thashë më sipër, Nicki Minaj ka 25 milion ndjekës në Twitter. Dhe 25 milion ndjekës janë shumë. Gazetave më serioze të botës, televizioneve më serioze të botës u qan syri për një audiencë të tillë.

Megjithatë, këta ndjekës nuk është se janë lexues të New York Times, nuk është se ndjekin BBC-në, apo Fox News-in (sido që edhe këto të fundit janë lëkundur disi, kur vjen puna te pozitat e tyre të besueshmërisë në publik). Ata thjesht lexojnë postimet dhe statuset që Nicki Minaj, dhe njerëz si, ajo publikojnë nëpër rrjetet sociale dhe i shpërndajnë ato në miliona të tjerë, dhe kështu kemi një efekt “ortek”. Në këtë garë për të dominuar tregun informativ, Nicki Minaj-t dhe të tjerëve si ajo nuk ia del dot asnjë institucion, asnjë qeveri, asnjë shtet. Ndoshta me përjashtim të Koresë së Veriut, por edhe atje fal faktit se nuk ka një Nicki Minaj, ndryshe edhe atje qeveria do ta kishte pisk punën.

Ashtu si kudo, edhe te ne ka Nicki Minaj. Këtu nuk kanë dalë me pretendimin se vaksina i bën burrat impotent, por kanë dalë me pretendime të tjera. Këtu te ne kanë dalë me pretendimin se në vaksinë është injektuar një çip i vogël, mikroskopik, i padukshëm, që nëpërmjet vaksinës injektohet në gjakun e njeriut, në mënyrë që qeverisë së fshehtë botërore, që kontrollohet nga fare pak njerëz, t’i bëhet e lehtë dhe e kollajtë të kontrollojë ndjesitë, ndjenjat dhe shpirtin tonë. Booo!!! Kjo është ajo që thonë këta “shkencëtarët” tanë.

Ose një tjetër pretendim i këtyre “shkencëtarëve” është që në vaksinë janë injektuar lëndë kancerogjene, për të dëmtuar trupin e atyre njerëzve që e marrin vaksinën. Sipas tyre, në harkun e pak muajve a viteve, këta njerëz do të vuajnë nga kanceri. Dhe kështu do të kemi një shfarosje masive në botë. Ndoshta do të zhduket rreth 10% , 20% apo 30% e njerëzve.

Ata besojnë se popullsia e botës është tepër e fryrë, dhe planeti nuk ka kapacitete t’i mbajë. Janë çmendurira! Unë e di se shumica mendojnë si unë. Megjithatë këto janë gjera që po thuhen, dhe problemi është se këta njerëz kanë platforma dhe foltore për t’i thënë mufka të tilla. Nicki Minaj i thotë këto në profilin e vet në rrjetet sociale, por këta njerëz, që nuk kanë ndjekësit e Nicki Minaj, përdorin televizionet, e ndonjëherë edhe televizionet kombëtare. Dhe janë pikërisht këta të fundit, që i ftojnë ata çdo javë, e me raste edhe ditë për ditë, u lënë studio të rëndësishme në dorë, u lënë orare të rëndësishme në dorë, në mënyrë që ata të përcjellin mesazhet e tyre, që mbeten të pareplikuara. Ose në disa raste, replikohen nga disa njerëz që nuk janë të aftë të bëjnë oponencë, apo të diskreditojnë tezat që ngrenë këta njerëz të matufosur.

Sipas meje, kjo është kriminale. Është një krim i bërë me vetëdije të plotë. Këto televizione janë duke bërë një krim me mendje të ftohtë. Duke nisur nga Top-Channel, një nga televizionet serioze të vendit, këto media duhet të heqin dorë nga promovimi i këtyre njerëzve. Duhet të heqin dorë nga kjo estradë që është e rrezikshme dhe e turpshme.  

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy