
Një sasi parash prej 3.4 milionë euro janë kapur dhe sekuestruar dje në Portin e Durrësi, në dy makina tip “Tojota Yaris”. Policia dyshon se shuma është gjeneruar nga aktiviteti kriminal në Belgjikë. Fillimisht u dyshua për 1.5 mln euro në një automjet të vendosur në një transportues me 8 makina të tjera, që dyshohet se do dërgoheshin në Kosovë.
Por pas verifikimeve, policia zbuloi se mjetet në të cilat ishin fshehur paratë ishin dy. Paratë janë gjetur në bagazhet e mjeteve të futura në 4 thasë. Ato u zbuluan pas një raporti të paraqitur nga Interpol Roma. Makinat “Toyota” kanë mbërritur në port nga Italia rreth orës 10:00 të paradites së 24 qershorit 2018 dhe ishin ngarkuar në një trajler me tragetin e linjës Ankona - Bari.
Sipas hetimeve, automjetet vinin nga Belgjika, kaluan tranzit në Itali dhe u bllokuan në Durrës. Policia ka ndaluar dy persona, Edi dhe Klevis Lika, atë e bir, të cilët janë pronarë të trajlerit që bënte tranportin e mjeteve si dhe shoferin e trajlerit. Ndërkohë Klevis Lika punonte edhe si shoqërues i shoferit të kamionit. Në polici Edi Lika ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni mbi shumën e parave, pasi ai kryen vetëm transportin.



