Sipërmarrësja Fjorida Zani tha në “Mcn Economy” se këtë vit ishin përgatitur për më shumë turistë dhe prurjet e deritanishme janë disi pesimiste. Ajo theksoi se ka shumë gjëra që s’funksionojnë, nga infrastruktura te mungesa e ujit. Sipas Zanit hotelet këtë vit janë ndërgjegjësuar dhe i kanë ulur çmimet.
“Prisnim më shumë turistë dhe kjo na ka bërë pak pesimistë, sepse ishim përgatitur të merrnim masa për ta mbuluar më mirë sezonin turistik. Janë shumë gjëra që s’funksionon, duke filluar të infrastruktura, të rrugët. Për të shkuar nga pika A në B është e vështirë sepse s’ke informacion. Të huajit duan transport publik, janë me buxhet të ulët ose të lartë s’ka rëndësi. Duan shërbimin, të jetë pastër, të mos iki uji. Mungesa e ujit është problem që është bërë shumë vitet e fundit. Trafiku është një nga arsyet, ku mund të shpenzosh shumë kohë në trafik. Hotelet u ndërgjegjësuan dhe i ulën çmimet dhe i kanë relativisht të pranueshme, varet nga vendi që zgjedh. Ka pasur ulje të çmimeve, sepse u penalizuan vjet, dhe ato u ndërgjegjësuan që është më mirë t’i mbushim hotelet se sa t’i lëmë bosh. Turistët që vizitojnë më shumë Shqipërinë janë për pjesën historike dhe kulturore”.
Zani tha se është problem mungesa e shërbimeve në plazhet publike.



