Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden premtoi një investim prej 500 milionë dollarësh në Fondin Amazon të enjten, një shumë që do ta bënte vendin e tij një nga donatorët më të mëdhenj në botë për programin ndërkombëtar të ruajtjes për të mbrojtur pyjet tropikale të Amazonës nga shpyllëzimi.
Sot, kam kënaqësinë të njoftoj se do të kërkoj fondet në mënyrë që të mund të kontribuojmë me 500 milionë dollarë në Fondin Amazon dhe aktivitete të tjera të lidhura me klimën gjatë pesë viteve të ardhshme për të mbështetur përpjekjet e rinovuara të Brazilit për t’i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.
Deklarata e Biden u bë gjatë një takimi virtual të Forumit të Ekonomive të Mëdha për Energjinë dhe Klimën.
Fondi Amazon përdor fonde të huaja për projekte që luftojnë shpyllëzimin dhe ruajnë mjedisin në Amazonë dhe u krijua në Brazil gjatë mandatit të mëparshëm të Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Donatorët kryesorë përfshijnë Norvegjinë dhe Gjermaninë.
Gjatë presidencës së ish-udhëheqësit brazilian Jair Bolsonaro, fondi mbeti i paprekur ndërsa ministri i atëhershëm i mjedisit Ricardo Salles shpërndau komitetet përgjegjëse për menaxhimin e burimit.
Lula e ka shpallur frenimin e shpyllëzimit të Amazonës si një prioritet kryesor që kur u bë president në fillim të këtij viti.
Biden premtoi gjithashtu një kontribut prej 1 miliard dollarësh për Fondin e Gjelbër të Klimës, i cili është mekanizmi kryesor i financimit të klimës në Kombet e Bashkuara.



