Prej pesë vjetësh radhazi, Shqipëria nuk e ka pasur një zonjë të parë, pasi është e palejueshme që zonja e parë e shtetit të jetë politikisht aktive në një mandat presidencial, siç ka ndodhur me kryetaren e LSI dhe bashkëshorten e presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit.
Me përfundimin e mandatit të Metës më 24 korrik 2022 dhe me ardhjen në detyrë të Bajram Begajt, vendit do t’i rikthehet edhe roli i zonjës së parë.
Ajo quhet Armanda Begaj, e lindur në vitin 1968 dhe aktualisht, punonjëse në Kontrollin e Lartë të Shtetit në rolin e specialistes së IT-së.
Armanda Begaj nuk është një figurë shumë e njohur për publikun.
Prej 24 korrikut, familja presidenciale, e kryesuar nga Bajram Begaj, zonja e parë Armanda Begaj dhe dy djemtë e tyre, do të marrë zyrtarisht rolin dhe misionin e lartë për vendin.
Bajram Begaj u zgjodh në detyrën e kreut të shtetit me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, në seancën e 4 qershorit.



