
Lythat janë një problem shumë i zakonshëm në lëkurë. Në shumicën e rasteve ato përbëjnë vetëm një shqetësim estetik, por mund të paraqiten në forma të ndryshme dhe të jenë bezdisëse, në varësi të vendndodhjes së tyre.
Mjekja dermatologe Violeta Dajçi, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ka shpjeguar llojet e lythave dhe mënyrat për t’i dalluar ato.
Sipas saj, shkaku kryesor i lythave është një virus, edhe pse shumë njerëz e injorojnë këtë fakt.
Në shumicën e rasteve, lythat ose siç njihen në gjuhën mjekësore verruca, kanë origjinë virale.
Ato shkaktohen nga virusi HPV. Kur lythat ngacmohen apo gjakosen, mund të përhapen në zona të tjera të trupit ose të transmetohen nga një person te tjetri.
Ekziston edhe një tjetër grup formacionesh të ngjashme, të quajtura fibropapiloma ose “skin tags”, që janë zgjatime të vogla të lëkurës.
Këto nuk kanë origjinë virale dhe nuk janë të rrezikshme.
Janë më shumë një karakteristikë familjare, shfaqen në madhësi të ndryshme dhe mund të shtohen me kalimin e viteve. Nuk malinjizohen, pra nuk shndërrohen në tumore malinje, por mund të rriten ose të shumohen në numër.
Ndryshimet hormonale shpesh ndikojnë në shfaqjen e tyre, veçanërisht gjatë pubertetit, shtatzënisë apo periudhave të tjera me luhatje hormonale.
Sa i përket trajtimit, dermatologia thekson se nuk ekziston një medikament që i zhduk përfundimisht lythat, por se çdo rast duhet vlerësuar nga një dermatolog, për të përcaktuar llojin dhe mënyrën më të përshtatshme të heqjes.
Asnjë lyth, nishan apo element tjetër në lëkurë nuk duhet të hiqet pa vlerësimin e një mjeku dermatolog.
Sidomos nëse ka ngjyrë të errët ose kafe, pasi mund të përmbajë melaninë dhe të mos jetë thjesht lyth, por një nishan që kërkon kujdes të veçantë.
Mos e ngacmoni asnjëherë asnjë formacion në lëkurë pa u konsultuar me një dermatolog. Edhe një veprim i vogël i gabuar mund të ketë pasoja serioze.



