Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë se pjesë e luftës kundër kultivimit të kanabisit mund të bëhet edhe ushtria. I pyetur në lidhje me reagimin e autoriteteve ndaj kultivimit të marijuanës, Manjani ripërsëriti nevojën e krijimit të xhandarmërisë.
“Kolegu Tahiri ka qenë aktiv në komunikimin për këtë çështje. Ajo që unë di është se fatkeqësisht ka një bindje të gjerë publike se ky është një problem i përhapur. Njerëzit janë të bindur se kjo gjë ndodh në Shqipëri dhe na takon ne të reagojmë në mënyrë proporcionale. Nëse është e nevojshme për të dhënë një efekt reagues proporcional, mund të dalë edhe ushtria.
Nga ky fenomen, o ndahemi tani, ose nuk ndahemi më. Nëse nuk e bëjmë këtë, kur të ndahemi do të jetë shumë vonë dhe shumë e dhimbshme. Nuk e ka në traditën e vet askush në këtë vend që të marrë damkë të tillë. Ky është një biznes që siguron vetëm varfëri dhe shton krimin. Unë jam për krijimin e xhandarmërisë. Duhet reagim proporcional. Fenomeni nuk luftohet me reagime të pjesshme”, tha ai.



