
Duket se një prej martesave më të lumtura të shoubizit i ka ardhur fundi. Mbrojtësi i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle Gerard Piqué dhe këngëtarja kolumbiane Shakira janë drejt ndarjes. Sipas Mamarazzis, podkasti i gazetës katalanase El Periodico e specializuar për thashethemet, Shakira ka zbuluar tradhtinë e partnerit të saj (të dy kanë 12 vite bashkë, kanë dy fëmijë dhe janë konsideruar gjithmonë si një nga çiftet më solide VIP në Spanjë, nga pikëpamja sentimentale, madje edhe ekonomike) me një vajzë bionde 20-vjeçare dhe ka vendosur të ndahet.
Tradhtia, megjithatë, mund të jetë vetëm maja e ajsbergut të një krize që vazhdon prej disa kohësh: lojtari i Barçës, i cili është 35 vjeç (ajo është 45 vjeçe dhe të dy festojnë ditëlindjen në të njëjtën ditë, më 2 shkurt) është zhvendosur tashmë sipas Mamarazzis, në apartamentin e tij të vjetër të beqarisë në Calle Muntaner në kryeqytetin katalanas. Pique dhe Shakira, të cilët kanë dy fëmijë, Milan dhe Sasha, u njohën në vitin 2010, teksa po xhironin videon e Waka-Waka, kënga zyrtare e Botërorit, e kënduar nga këngëtarja e famshme amerikano-jugore.



