
Katër persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në një tubacion gazi natyror në një kantier ndërtimi autostrade në provincën Vrancea të Rumanisë lindore, tha agjencia qeveritare e menaxhimit të emergjencave.
Zjarri i nisur në afërsi të fshatit Kelimenesti është shuar dhe të lënduarit u dërguan në spital.
Shpërthimi ndodhi gjatë punimeve të ndërtimit gjatë natës, pasi po ndërtohet autostrada pranë tubacionit të gazit natyror.
Sipas informacioneve të para, kova e një ekskavatori goditi aksidentalisht gazsjellësin.
Të gjithë të plagosurit dhe të vdekurit punonin në këtë kantier. Zjarrfikësve iu deshën rreth tre orë për të shuar zjarrin.
Mediat lokale vënë në dukje se nuk ka pasur nevojë të ndërpritet furnizimi me gaz në vendbanimet e zonës.



