Këtë fundjavë, Evropa kalon në orën dimërore.
Ndryshimi ndodh në natën mes të shtunës dhe të dielës, më 25 dhe 26 tetor 2025, kur akrepat kthehen një orë pas, nga ora 03:00 në 02:00 të mëngjesit.
Kjo do të thotë se do të flemë një orë më shumë, por në të njëjtën kohë dielli do të lindë dhe do të perëndojë më herët, duke sjellë më pak dritë gjatë orëve të pasdites.
Ora dimërore përfaqëson kohën standarde, që përdoret gjatë pjesës më të madhe të vitit. Ndërkohë, ora verore e cila fillon zakonisht në fund të marsit u krijua për të shfrytëzuar më mirë dritën natyrore të ditës, duke zhvendosur akrepat një orë përpara në mbrëmje.
Ideja e ndryshimit sezonal të orës daton që nga shekulli i 18-të, kur Benjamin Franklin e propozoi për herë të parë si mënyrë për të kursyer energji. Megjithatë, ajo filloi të zbatohej gjerësisht vetëm në shekullin e 20-të, veçanërisht gjatë luftërave botërore dhe krizës energjetike të viteve 1970.
Prej disa vitesh, Bashkimi Evropian po diskuton për heqjen përfundimtare të ndryshimit sezonal të orës, megjithatë një vendim përfundimtar ende nuk është marrë.



