Kur vrasja e lajmëtarit kthehet në normë

Kur vrasja e lajmëtarit kthehet në normë

Nga Amy Mackinnon – Foreign Policy

Viktoria Marinova nuk ishte korrespondente lufte. Gazetarja bullgare pasqyroi një skandal të dyshuar korruptiv në emisionin e saj, para se të vritej javën e shkuar në qytetin verior Rusë, pranë lumit Danub. Ky do të ishte rasti më i freskët i dhunës vdekjeprurëse ndaj gazetarëve në botë.

Rrethanat e vdekjes së Marinovës mbeten të paqarta. Por frika se vrasja lidhet me punën e saj nxjerr në pah një nga realitetet e zymta të gazetarisë aktualisht: Ndërsa gazetarët e vrarë në zonat e largëta të luftës janë futur në kujtesën kolektive, shumë më tepër gazetarë janë vrarë në vendet e tyre, ngjarje që shpesh lidhen me punën e tyre, pasi kanë ekspozuar korrupsionin dhe represionin qeveritar.

Nga 1 322 gazetarë, vdekja e të cilëve ka lidhje me punën e tyre, që nga viti 1992, 848 janë vrarë, ndërsa 298 kanë mbetur viktimë e shkëmbimit të zjarrit, sipas Komitetit Amerikan për Mbrojtjen e Gazetarëve. Në Bashkimin Europian, vrasjet e gazetarëve kanë qenë të rralla, megjithatë Marinova është e treta brenda një viti.

Në tetor 2017, gazetarja malazeze Daphne Caruana Galizia u vra në një sulm me bombë në makinë. Në shkurt, gazetari sllovak Jan Kuciak u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij, së bashku me të fejuarën, gjatë kohës që kishte nisur një investigim mbi lidhjet e dyshuara midis zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar.

Javën e kaluar, gazetari saudit dhe analist i “Uashington Postit”, Jamal Khashoggi, u zhduk në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ku autoritetet turke janë të bindur se ai është vrarë.

Rob Mahoney, zëvendës drejtor ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se në mbarë botën, mjedisi në të cilin punojnë gazetarët është përkeqësuar.

"Kjo nuk ndodh vetëm në vendet që ju mund të mendoni. Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, ne shohim një qëndrim shumë të fortë kundër shtypit, që vjen direkt nga lart", thotë ai.

"Udhëheqësit anembanë botës, të lumtur se i mbyllin hapësirën shtypit të lirë, kanë përqafuar retorikën e Trump-it për "lajmet e rreme" për t’u mbyllur “derën” raportimeve që nuk u pëlqejnë".

Sipas Mahoney-t, në gati nëntë nga 10 raste, ata që urdhërojnë vrasjen e gazetarëve ia hedhin pa lagur.

Ai vë në dukje se edhe një vit pas grasjes së gazetares Caruana Galizia, pak përparim është bërë në hetime.

"Kjo u përcjell njerëzve mesazhin se gazetaria është një punë e rrezikshme dhe nuk mund të mbrohesh", tha ai.

Në rastin e Marinovës, autoritetet gjermane arrestuan një person të dyshuar për lidhje me vrasjen, por detajet mbeten të panohura.

Ministri i brendshëm bullgar tha se ADN-ja e të dyshuarit është gjetur në vendin e ngjarjes. Kryeprokurori Sotir Tsatsarov u shpreh se vrasja e Marinovës ka tiparet e një sulmi seksual, megjithatë shtoi se edhe mundësi të tjera po shqyrtohen.

Hulumtimet e kryera nga Transparency International kanë zbuluar një lidhje të fortë midis korrupsionit në një vend të caktuar dhe rrezikut për gazetarët që punojnë atje. Duke përdorur të dhëna nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, analistët e TI zbuluan se që nga viti 2012, nëntë nga 10 gazetarë të vrarë janë ekzekutuar në vende që konsiderohen si shumë të korruptuara.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit e ka cilësuar Bullgarinë si anëtari më i korruptuar i Bashkimit Europian, ndërsa Reporterët pa Kufi e renditin në vendin e 111-të nga 180 që ka lista, në indeksin e fundit vjetor për lirinë e shtypit në botë.

Kur Bullgaria iu bashkua BE-së në vitin 2007, ajo renditej e 51-ta nga listën me 169 vende. BE i anëtarësoi Bullgarinë dhe Rumaninë, duke mbajtur nën monitorim të posaçëm luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Drejtori i zyrës së Transparency International për BE-në, Carl Dolan, vuri në dukje se ndërsa Rumania bëri përparim të dukshëm në këto dy aspekte, Bullgaria ka mbetur prapa.

"Ne kemi bërë një studim, i cili tregon se njerëzit janë më skeptikë se kurrë. Njerëzit duket se e kanë humbur shpresën për ndonjë zbulim të madh", tha ai.

"Rasti i Bullgarisë pasqyron një problem më të përgjithshëm, i cili gjithashtu vihet re edhe në Poloni dhe Hungari: sapo bëhesh vend anëtar, ka pak karrota dhe shumë shkopinj, të cilët përdoren për të inkurajuar zbatimin e reformave”.

Marinova ishte drejtuesja e programit televiziv "Detector", i cili ishte nisur kohët e fundit. Në daljen e saj të fundit, në programin e 30 shtatorit, ajo intervistoi gazetarët hulumtues bullgarë, Attila Biro dhe Dimitar Stojanov, të cilët po hetonin një skandal korruptiv të supozuar, që përfshinte fonde të BE-së. Ata ishin arrestuar më herët gjatë këtij muaji, ndërsa raportonin në lidhje me këtë çështje.

"Numri i temave të ndaluara (në Bullgari) po rritet gjatë gjithë kohës", tha Marinova gjatë programit. "Gazetarët investigativë po largohen nga "skena" në mënyrë sistematike."

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy