Deputeti Ben Blushi thotë se është e domosdoshme pjesëmarrja e të gjitha partive në zgjedhje. Në fjalën e tij në Parlament, Blushi analizoi skenarët e mosfutjes në zgjedhje të PD-së, LSI-së dhe partisë së tij, LIBRA.
“Rilindja po bie. Para 2 vitesh i shpalla funeralin. Me ndihmën e shumë shqiptarëve, kanabistët dhe krenaristët e bënë vetë pjesën e mbetur. Ata e lanë Rilindjen vetëm. Sot ajo është e ngordhur. Mendoni sikur jemi në pyll dhe aty hyn një bishë e tërbuar që nuk sheh, por vetëm kafshon. Ka vetëm, oreks, nuk ka mend. Kjo ishte Rilindja. Nuk kishte pasion, nuk kishte shpirt. Për këtë arsye, të gjitha kafshët e pyllit janë mbledhur për ta varrosur. Kjo ndodhi për shkak të një njeriu: Edi Ramës. Ai erdhi në pushtet me votat e socialistëve. Ai futi gjithfarë lloj mediokrish, pazarxhish e kriminelësh në Rilindje. T’i thuash vizato Mark Frrokun, e qan. Ti thuash vizato Pandin, nuk e bën. Ne duam zgjedhje sepse ato janë e vetmja mënyrë që Shqipëria të ndryshojë. Ne nuk kemi numërues, para të zeza, koncesione, tendera, televizione etj. por nuk kemi as frikë as nga reforma në drejtësi dhe zgjedhjet.
Nëse PD nuk hyn në zgjdhje, Edi Rama përfundon me 80 mandate. Nëse LSI nuk hyn në zgjedhje, Edi Rama merr 100 mandate. Ai mund të ndryshojë kushtetutën e shqipërisë dhe ta kthejë vendin në një republikë si ajo e Erdoganit. Nëse LIBRA nuk hyn në zgjedhje, Rama merr 120 mandate. Nëse Rama hyn vetëm në zgjedhje, ato do të kthehen në një referendum për veten e tij. Kjo ndodhi vjet në PS, dhe kjo është arsyeja pse ajo u shkatërrua. Për të frenuar marrëzinë e këtij njeriu janë zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjithëve. Duhet të bindim PD dhe të gjithë të tjerët që ta bëjnë këtë”, tha ai.
Blushi ripërsëriti idenë e një Parlamenti më modest dhe të drejtën e votës së emigrantëve.
“Ka ardhur koha për një Parlament më të vogël. Një parlament me 100 deputetë do të ishte i mjaftueshëm. Mund ta gjejmë këtë zgjidhje mes shumë të tjerash. Jepuni emigrantëve të drejtën të votojnë. Ata kanë mundësi ta përmirësojnë këtë vend”, tha ai.



