
Moti i keq, me dëborë e ngrica ka bllokuar mbrëmë qarkullimin në tre akse kryesore rrugore Korçë-Pogradec, Pogradec-Qafë Thanë dhe Korçë-Ersekë, raporton për “MCN live” korrespondentja nga Korça, Elsa Xhidole.

Ajo bën të ditur se krahas rrugëve me ngrica, problem ka pasur me ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike për 893 abonentë të cilët kanë ngelur pa energji.
Gjatë natës në Qarkun e Korçës ka patur reshje dëbore të shoqëruara me erë.
Dëbora ka rënë në një intensitet të lartë, nuk kishim problematika sa i përket akseve, por më pas situata u përkequa nga nata e mbrëmshme me ngricat, kryesisht në Korçë-Pogradec, Pogradec-Qafë Thanë dhe Korçë-Ersekë. Ishte e vështirë qarkullimi i automjeteve por duket se aksi ishte e pamundur që automjete të kalonin.
Subjektet kontraktore dhe bashkitë kanë punuar për hapjen e rrugëve kryesore dhe atyre lidhëse e dytësore dhe deri tani vazhdon qarkullimi normal në këto akse. Për shkak të erës ka patur përqëndrime të dëborës në vende të caktuara duke vështirësuar kalimin e automjeteve. Po punohet në segmentin Qafa e Thanës-Doganë i cili ka përqendrim të dëborës për shkak të erës.
Nga bashkitë po punohet për hapjen e segmenteve dytësore e lidhëse me Njësitë Administrative e fshata të veçantë si dhe të shesheve në qytete.
Për momentin që ne flasim nuk ka segmente të bllokuar rrugore.
Deri tani nga strukturat e EC nuk raportohen problematika të veçanta.
Për shkak të ngarkesës në rrjet ka ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike 893 abonentë, në Bashkinë Korçë, Njësinë Adminstrative Lekas fshatrat Tudas, Denas, Xerje, Mazrekë dhe Brozdovec, në Bashkinë Maliq, Njësinë Administrative Moglicë, fshatrat Lumaj, Kodras, Dushar dhe Zerec. Në bashkinë Kolonjë, Njës.Admin. Barmash., fshatrat, Shalës, Gërmenjë, Kalatanj, Qesarakë, Radivickë dhe Novoselë, në Bashkinë Pogradec, antenat Çervenakë. Grupet e punë po punojnë për riparimin e defekteve.



