Juristi Avenir Peka komentoi në emisionin “Aranutistan” në MCN TV kandidatin e propozuar nga PS për President, Bajram Begaj. Peka tha se ka një parim në demokraci që ushtarakët aktivë mbahen larg politikës. Po ashtu ai theksoi se statura e Presidentit është shumë dimensionale duke shtuar se pozicioni i kreut të shtetit është politik.
Edhe unë kam kritikat e mia, jo vetëm për emrin por edhe si proces s’më është dukur serioz. Sa i përket emrit, ka disa elemente që s’më lanë shije të mire, e para që vjen nga ushtria aktive. Ka një parim në demokraci që ushtarakët aktive lihen larg nga politika. Në SHBA edhe personat që kanë më pak se 5 vjet në pension, nuk zgjidhen. Në përgjithësi në demokraci ushtarakët mbahen larg, për të ruajtur një farë balance. Pozicioni që ai mban si shefi i shtabit të FA është i lartë. Statura e Presidentit supozohet të jetë një staturë shumë dimensionale për shkak të faktit që është kryetar i shtetit. Duke parë zhurmën politike dhe procesin, kishte një pritshmëri për një kandidaturë më solide. Nuk ka funksion më politik se sa Presidenti. Të gjithë (ish-Presidentët) kanë pasur profil politik”.
Peka e konsisderoi procesin për zgjedhjen e Presidentit një farsë, ku Rama e dinte mirë përfundimin.
Procesi s’më ka pëlqyer. Dukej si njoftim për vend të lirë pune, tmerrësisht jo serioz, që i bën dëm edhe Presidencës në vetvete. Rama s’është se ia la opozitës, ia la njërës pjesë të opozitës. Alibeaj s’i kishte votat dhe Rama e dinte. Nga njëra anë përjashtonte grupin e Berishës dhe nga ana tjetër i kërkoi propozimin dikujt që s’i kishte votat. Ishte farsë”.



