Prilli përfaqëson muajin e ndërgjegjësimit për spektrin autik dhe drejtoresha e Klubit të Prindërve të Fëmijëve me Spektrin e Autizmit, Eglantina Bajrami, evidenton problematikat për këtë kategori si dhe mungesën e reagimit nga institucionet shqiptare.
Për MCN Tv, ajo tha se organizata ka katër vjet që është krijuar dhe është partnere e institucioneve shtetërore, duke qenë se janë vetë prindër dhe e dinë se çfarë duhet dhe cilat janë shërbimet për ti ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Nuk mjafton vetëm ndërhyrja e hershme, këta fëmijë rriten, ku shkojnë, ku ecin, kemi hedhur idenë e fëmijëve mbi 15 vjeç, të cilët edhe pse mund të mos jenë akademik, por mund të marrin një profesion.
15+ është totalisht jashtë fokusit. Jetesë e pavarur nuk do të thotë që ti izolosh diku dhe ti mbash. Përveç problematikës që kanë diagnozës, nëse i lëmë të mbyllur në shtëpi në guaskën e tyre, atëherë do të fillojnë problemet psikologjike dhe mund të bëhen risk për ambientin ku jetojnë.
Lidhur me kërkesën për njohjen e kujdestarisë së prindërve me fëmijë autikë si vite pune, Bajrami deklaroi se është dërguar si pyetje në Kuvend dhe iu është kthyer përgjigja se ka një kosto shumë më të madhe financiare.
Kjo nuk është parë me një lupë të mirëmendar se ku do shkojnë këta prindër në moshën e tretë që as kujdestar nuk do jenë më dhe do mbeten edhe pa pensionin e pleqërisë, është një ligj jo i mirëmenduar për vazhdueshmërinë. Po krijojmë rrjetëzim të disa organizatave për ta çuar në parlament, që kujdestaria të njihet si profesion pune i rregulluar.



