
Ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj po vazhdon me aksionin për reformën në trupën diplomatike. Sot ai njoftoi se të 38 konsujve të nderit të cilët lëvizin me makina me targa diplomatike, do tu hiqen targat. Sipas ministrit në detyrë, kjo bëhet me qëllim të eleminimit të privilegjeve të pajustifikuara. Ai tha se do të merren masa të menjëhershme për heqjen e targave diplomatike dhe zëvendësimin me ato përkatëse:
“Në shkelje të habitshme të këtij ligji janë plot 38 konsuj nderi, të pajisur me targa CD, të cilët hyjnë e dalin në vend si përfaqësues më të lart diplomatikë. Ky privilegj është i pajustifikueshëm dhe duhet të marrë fund. Informoj të gjithë personat në fjalë do të fillojmë menjëherë me kontaktimin e tyre, dhe do të dorëzojnë targat diplomatike. Në bashkëpunim me ministrinë e Brendshme dhe atë të Transportit, do të merren të gjitha masat që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit. Kjo masë nuk ndërlidhet me emra të veçantë, por vjen nga domosdoshmëria e respektimit të ligjit”, u shprehet Cakaj.
Minitri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka njoftuar edhe nismën për fuqizimin e dinjitetit të pasaportës diplomatike.



