Dhjetëra varre në një varrezë protestante në Jeruzalem janë shkatërruar barbarisht, raportuan këtë të mërkurë, udhëheqësit lokalë të krishterë, duke shprehur zhgënjimin e tyre. Policia izraelite tha se ka hapur një hetim.
Kryqe të përmbysura dhe varre të dëmtuara janë zbuluar në varrezat protestante në malin Sion, ngjitur me Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit.
" Ne zbuluam më shumë se 30 gurë varresh dhe kryqe të thyer në copa", tha Hossam Naoum, peshkop anglikan në Jeruzalem.
Pamjet e CCTV të publikuara në mediat sociale dhe mediat lokale tregojnë dy burra të veshur me veshje tradicionale ortodokse hebreje duke hedhur gurë dhe duke rrëzuar përmendoret.
"Këto akte kriminale ishin të motivuara nga fanatizmi dhe urrejtja antikristiane”, tha Dioqeza Episkopale e Jerusalemit në një deklaratë, duke përmendur gjithashtu pamjet e vëzhgimit.
" Jemi jo vetëm të tronditur, por edhe shumë të pikëlluar", tha Hossam Naoum, duke shtuar se varreza daton nga mesi i shekullit të 19 -të dhe përfshin varret e disa klerikëve, shkencëtarëve dhe politikanëve.
Disa prej tyre janë njerëz me rëndësi të madhe që kanë kontribuar në historinë e Jerusalemit dhe në jetën e njerëzve këtu.
Ministria e Jashtme izraelite tha në Tëitter se " ky akt imoral është një fyerje ndaj fesë ".



