McnLive mëson se pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Fierit për skandalin “Bankers" është edhe një bankë e nivelit të dytë. Nga hetimet ka rezultuar se Tatimet kishin bllokuar llogaritë e “Bankers” për të vjelë detyrimin tatimor.
Por “Raiifeisen Bank” kryente transaksione edhe lëvizje në llogaritë e “Bankers Petrolium” duke shkelur ligjin, raporton gazetari Arsen Rusta për Mcn Live.
Si pjesë e hetimeve është edhe një zyrë e këmbimit valutor ku kryheshin këmbimi i valutave të "Bankers" në lekë apo anasjelltas.
Lëvizjet e parave në “Raiifesen bank”, e cila s’do duhet t’i prekte ato para, drejtoheshin nga menaxheri financiar i "Bankers Petrolium", shtetasi Ardit Kero.
Gazetari Arsen Rusta duke dhënë detaje nga dosja, raporton për Mcn Live se:
“Dosja e siguruar nga MCN dhe Mcn Live flet për përfshirjen e bankave të nivelit të dytë, shkelin ligjin haptazi duke bërë veprime jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe në kundërshtim me një vendim gjyqësor. Rezulton se llogaritë e ‘Bankers Petrolium’ ishin të bllokuara për llogari të Tatimeve, për llogari të borxheve të pashlyera të kompanisë, jo vetëm te Tatimet, por edhe te subjekte të ndryshme. S’duhet të prekeshin derisa të shlyhej borxhi tatimor, apo të sqarohej procedura. Me koordinimin e menaxherit financiar tashmë të arrestuar Ardit Kero, rezulton se në komunikim me Reiffeisen Bank Ardit Kero mund të lëvizte llogari, të kalonte para, të tërhiqte para, të bënte pagesa të ndryshme dhe këmbime valutore nga dollarë dhe euro në lekë shqiptar dhe anasjelltas. Në dosje thuhet: ‘Rezulton se personi nën hetim Ardit Kero, me detyrë menaxher i financave pranë shoqërisë ‘Bankers Petrolium Ltd.’ mban përgjegjësi për aktivitetin ekonomik financiar të Bankers, pasi dyshohet se është bashkëpunëtor me gjithë stafin drejtues të shoqërisë në mashtrimin e madh financiar që kanë bërë prej vitesh ndaj shtetit shqiptar. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me personin nën hetim Leonidha Cobo, nga viti 2015 e në vijim”.



