Zotimi i Kosovës dhe i Serbisë për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut mund të prishet nëse Prishtina vendos t’i shkojë deri në fund premtimit për largimin e murit të ndërtuar ilegalisht në Mitrovicë, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa serbët kanë paralajmëruar pasoja nëse kjo tentohet të bëhet me dhunë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet të respektohet Rezoluta e Kuvendit. Rezoluta e miratuar fundvitin e kaluar obligon autoritetet që murin ta rrëzojnë më së largu deri më 31 janar.
Këto deklarata Thaçi i ka bërë gjatë një konference për media, një ditë pas takimit në Bruksel. Pajtimi i vetëm, sipas tij, ka qenë zotimi i palëve që t’i ndalin tensionet dhe provokimet. I pyetur nëse do ta eliminojnë provokimin tjetër, i cili vazhdon të mbetet në Mitrovicë, Thaçi ka thënë se u qëndron pas të gjitha deklaratave rreth murit të ndërtuar pak metra larg urës së Ibrit.



