Bota duhet të përgatitet për valë të nxehta gjithnjë e më intensive. Ky është paralajmërimi i Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që vendet e hemisferës veriore janë goditur nga një rritje e temperaturave. "Fenomeni 'el niño', i cili është shpalosur kohët e fundit, vetëm do të përforcojë shfaqjen dhe intensitetin e valëve ekstreme të të nxehtit", tha John Nairn, këshilltar i lartë në organizatën meteorologjike në Gjenevë. Amerika e Veriut, Azia, Afrika e Veriut dhe pellgu i Mesdheut janë në fokus të monitorimit me temperatura që i kalojnë 40 gradë Celsius për disa ditë këtë javë, ndërsa valët e të nxehtit intensifikohen.



