Qytetarët shqiptarë shpresojnë pozitivisht te hapja e dosjeve, veçanërisht në lidhje me elementet e lustracionit potencial për zyrtarët publikë. Sidoqoftë, ata shprehin rezerva të forta rreth faktit se a do ketë hapja e dosjeve këtë efekt të dëshiruar. Këto të dhëna kanë dalë nga anketa “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen”, e kryer nga kompania IDRA. Rezultatet e anketës u paraqitën sot nga Prezenca e OSBE-së dhe Ambasada Gjermane.
Shumica e qytetarëve mendojnë se krijimi i një arkivi të konsoliduar me dokumente të ish-Sigurimit është i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe gati katër në pesë të anketuar mendojnë se historia e vendit do të përfitonte nga krijimi i një arkivi të konsoliduar të ish-Sigurimit. Qytetarët e kishin mjaft përzemër efektin potencial të lustracionit nga hapja e dosjeve. Gati 80% u përgjigjën se zyrtarët publikë në detyrë, të cilët zbulohen se kanë qenë pjesëtarë të ish-Sigurimit, duhet të japin dorëheqje nga detyra publike. Një përqindje e ngjashme e lartë e të anketuarve mendojnë se informacioni për lidhjet e mëparshme të zyrtarëve publikë me ish-Sigurimin duhet të publikohen (75%). Gjithashtu, shumica e të anketuarve (59%) nuk janë dakord me pohimin, ‘Përfshirja e figurave publike me ish-Sigurimin gjatë periudhës së komunizmit duhet parë si pjesë e së shkuarës dhe nuk duhet të ketë ndikim në karrierën e tyre.’ Rezultatet tregojnë gjithashtu se shumica e të anketuarve nuk e sheh hapjen e dosjeve si kërcënim për sigurinë kombëtare. Sidoqoftë, kishte mosbesim të fortë rreth procesit. Një numër domethënës i të anketuarve (64%) besojnë se shumica e dosjeve të ish-Sigurimit janë ndryshuar apo shkatërruar nga personat e interesuar, çka e bën të kotë hapjen e tyre. Gjithashtu, shumica e të anketuarve mendojnë se do të ketë persona apo institucione që do të përpiqen të pengojnë veprimtarinë e autoritetit përgjegjës për hapjen e dosjeve. Rezultatet e anketës tregojnë se rreth 70% e të anketuarve mendojnë se një gjë e tillë ka gjasa të ndodhë, me një përqindje lehtësisht më të lartë të burrave që presin që të ndodhë një gjë e tillë.



