James Watson, shkencëtar 90-vjeçar dhe fitues i Çmimit Nobel, ka shkaktuar debat me konkluzionet e tij, të cilat e lidhin racën me inteligjencën. Për shkak të këtij qëndrimi, atij iu hoq titulli i dhënë nga një institut kërkimor amerikan.
Pavarësisht se kishte qenë për rreth 50 vjet kontribuues në Cold Spring Harbor Laboratory (CSHL), gjenetisti me famë botërore i humbi të gjithë titujt e tij, pasi refuzoi të tërhiqte konkluzionet e tij shkencore.
Në vitin 2007, Watson u pezullua nga të gjitha pozicionet që mbante në laboratorin e Nju-Jorkut pas një skandali që e pati origjinën në pretendimin e tij për të ardhmen e "natyrshme të zymtë" të kontinentit afrikan. "Të gjitha politikat tona sociale janë të bazuara në faktin se inteligjenca e tyre është e njëjtë me tonën - ndërkohë që të gjitha testimet nuk e thonë këtë", pati deklaruar ai për gazetën “Times” në atë kohë.
Ndërsa fillimisht pati kërkuar falje për komentet e tij, çka i lejoi të mbajë titujt e tij të nderit në CSHL, kur u pyet më shumë se një dekadë më vonë nëse pikëpamjet e tij për racën dhe inteligjencën kishin ndryshuar, ai tha se kjo nuk kishte ndodhur.
"Ka një ndryshim në mesataren mes zezakëve dhe të bardhëve në testet e inteligjencës (IQ). Unë do të thosha se ndryshimi është, është gjenetik", është shprehur ai.
Instituti shkencor ku ai ka punuar për 50 vjet thotë se komentet e Watson janë plotësisht të pambështetura në shkencë. Pasi i hoqi atij të gjithë titujt, institucioni theksoi në një deklaratë se "dënon keqpërdorimin e shkencës për të justifikuar paragjykimet".
Watson mori famë ndërkombëtare në vitin 1953, pasi ndihmoi në zbulimin e strukturës së dyfishtë spirale të ADN-së me bashkë gjenetistët Maurice Wilkins dhe Francis Crick. Në 1962, ekipit iu dha Çmimi Nobel në Fiziologji "për zbulimet e tyre në lidhje me strukturën molekulare të acideve nukleike dhe rëndësinë e saj për transferimin e informacionit në materialin jetësor". Në vitin 1968, Watson filloi të shërbejë si drejtor i në Cold Spring Harbor Laboratory (CSHL), më pas mori rolet e presidentit dhe kancelarit, para se të pezullohej dhe të tërhiqej nga detyra aktive në vitin 2007.



