Sezoni i ri i Kategorisë së Parë në futboll nuk do të ketë asnjë ndryshim nga sezonet e kaluara, siç ishte folur më parë. Kjo për shkak se Komisioni i Apelit në FSHF ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit të Licensimit për përjashtimin e Erzenit dhe Elbasanit.
Të dy këto skuadra kanë fituar të drejtën për pjesëmarrje pas apelimit dhe sezonin e ardhshëm do të jenë në Kategorinë e Parë. Kështu kjo kategori do të jetë me dy grupe.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit është njohur ditën e sotme me vendimin e Komisionit të Apelit për Licencimin e Klubeve për t'i dhënë licencën Erzenit dhe Elbasanit.
Ky komision, pasi mori në shqyrtim kërkesat e të dy klubeve të cilat kërkonin rrëzimin e vendimin të Komisionit të Licensive të shkallës së parë që kishte refuzuar licensat për të garuar në Kategorinë e Parë për sezonin 2020-2021, vendosi t'i japë licencën skuadrave pasi është verifikuar se të dy klubet kanë plotësuar të gjitha kriteret e licencimit.
Skema e Kategorisë së Parë do të jetë e pandryshuar edhe në sezonin 2020-2021, me 18 skuadrat pjesëmarrëse që do të ndahen nga Grupet A dhe B.
Shorti për edicionin e ri do të hidhet ditën e premte, datë 9 tetor 2020, ora 11:00, në ambientet e Air Albania Stadium.



