
Një aksident i rëndë raportohet se ka ndodhur në orët e pasdites së sotme në rrugën Qafë Bualli-Krastë, në Bulqizë. Një furgon i cili transportonte 5 minatorë nga Bulqiza në Krastë ka dalë nga rruga dhe ka rënë 50 metra në greminë.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 minatorët. Dy janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë, njëri me helikopter dhe tjetri me autoambulancë.
Ndërkohë tre të tjerë janë transportuar në spitalin e Bulqizës për mjekim.
"Nga verifikimet paraprake janë konstatuar se ka dalë rreth 20 metra poshtë rrugës, automjeti tip ‘Mercedez Benz’, me drejtues Y.H, dhe për pasojë janë dëmtuar pasagjerët , A.S, 45 vjeç, i cili është transportuar me helikopter drejt Tiranës, D.M, 42 vjeçe, është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, Xh.K, 44 vjeçe, dhe V.K, 32 vjeçe, të cilat po marrin ndihmë në Spitalin e Bulqizës, dhe jashtë rrezikut për jetën", bën me dije policia.
Sipas njoftimit të policisë, po punohet për kapjen e drejtuesit të automjetit pasi është largur nga vendi i ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po vijon hetimet në vendin e ngjarjes, dhe po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.



