Kongresi ka certifikuar zyrtarisht fitoren e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në zgjedhjet e vitit 2024 të hënën, duke e çuar atë një hap më afër marrjes së postit të presidentit në fund të këtij muaji. Ky ishte hapi i fundit para inaugurimit të tij më 20 janar.
Ky proces i zakonshëm është një kontrast i dukshëm me ngjarjet e vitit 2020, kur protestuesit kundër rezultateve të zgjedhjeve ndërprenë procedurat në Dhomën e Përfaqësuesve, duke detyruar ligjvënësit të fshiheshin për disa orë.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila humbi ndaj Trump në zgjedhjet e nëntorit, drejtoi procesin e certifikimit të fitores së tij. Në një video-mesazh të publikuar përpara certifikimit, Harris theksoi rëndësinë e transferimit paqësor të pushtetit, duke thënë: “Ky është një nga parimet më të rëndësishme të demokracisë amerikane. Ajo që e bën sistemin tonë të qeverisjes ndryshe nga monarkia ose tirania.”
Deputetët nga të dyja partitë patën reagime të ndryshme pas certifikimit të fitores së Trump. Përfaqësuesit republikanë e festuan si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa demokratët e lidhën këtë ngjarje me dhunën e 6 janarit 2021.
Trump e shprehu kënaqësinë e tij në Truth Social, duke thënë: "Kongresi certifikon sot fitoren tona të madhe të zgjedhjeve — një moment i madh në histori!"
Deputetët u mblodhën në Capitol Hill për të certifikuar zgjedhjet, pavarësisht nga një stuhi e madhe bore që shkaktoi mbylljen e shumë zyrave federale dhe shkollave publike në Uashington. Udhëheqësit e Partisë Republikane kishin kërkuar që deputetët të qëndronin në kryeqytet gjatë fundjavës për të shmangur vonesat e mundshme në udhëtime.



