Një letër e datës 17 dhjetor 2020, e firmosur nga ambasadori i atëhershëm i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, drejtuar z. Helidon Bendo ish-drejtues i SHISH, prezanton shërbimet e kompanisë izraelite Rayzone Group, e specializuar në ofrimin e zgjidhjeve teknologjike të bazuara në inteligjencë për agjencitë kombëtare.
Në dokumentin e nxjerr nga Homeland Justice, ambasadori informon marrësin mbi gamën e shërbimeve të kompanisë, ku përfshihen inteligjenca e sinjaleve (SIGINT), inteligjenca gjeohapësinore (GEOINT), inteligjenca kibernetike, inteligjenca nga burimet e hapura (OSINT), inteligjenca e reklamave (ADINT), përpunimi dhe analiza e të dhënave, si dhe kundërzbulimi.
“Dëshiroj t’ju informoj për shërbimet e Rayzone Group, një kompani me bazë në Izrael, e cila ofron zgjidhje të specializuara, të mbështetura në inteligjencë, për agjencitë kombëtare”, thuhet në letrën e firmosur nga Gendler.
Ambasadori thekson se portofoli i kompanisë është zhvilluar mbi bazën e ekspertizës së saj në fushën e inteligjencës dhe të njohurive që burojnë nga agjencitë izraelite të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike.
“Portofoli u zhvillua duke përdorur ekspertizën e gjerë të kompanisë në këtë fushë, njohuritë e drejtpërdrejta që burojnë nga agjencitë izraelite të sigurisë kibernetike dhe inteligjencës, si dhe inovacionin shumëdisiplinor dhe lidershipin në fushat e komunikimit, teknologjisë së informacionit, sigurisë kibernetike, të dhënave të mëdha, internetit, teknologjisë mobile dhe më gjerë”, thuhet në dokument.
Në vijim, Gendler i referohet faqes zyrtare të kompanisë dhe një prezantimi të bashkëlidhur, duke ftuar marrësin të njihet më në detaje me shërbimet e saj.
Letra përmban gjithashtu një ftesë për të vijuar komunikimin me përfaqësuesit e Rayzone Group, në rast se kërkohet informacion shtesë apo synohet zgjerimi i bashkëpunimit.
“Nëse ju nevojitet më shumë informacion mbi shërbimet e Rayzone dhe dëshironi të zgjeroni bashkëpunimin, ju lutem kontaktoni zotin Dor Venezia”, shkruan ambasadori, duke dhënë edhe të dhënat e kontaktit të tij.
Dokumenti mban datën 17 dhjetor 2020, firmën e ambasadorit Noah Gal Gendler dhe vulën e Ambasadës së Izraelit në Tiranë. Në fund të faqes shfaqet edhe shënimi “SHISH”.



