Mbledhja e pare për këtë vitë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është përfshirë nga debatet. Fillimisht ka qenë kryetari Lulzim Basha që ka informuar deputetet rreth takimit me partitë aleate të koalicionit, ku u diskutua lidhur me reformën zgjedhore dhe hapat që do të marrë opozita në raport me zgjedhjet. Por diskutimi rreth opsionit të propozuar nga lidershipi i PD-së për bojkotimin e Kuvendit ka sjellë regim të ashpër të Topallit dhe Bregut dhe kanë kundërshtuar fort propozimin për të nxjerrë PD-në nga Parlamenti duke mos i kursyer as kritikat në adresë të Bashës.
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mësohet të jetë shprehur kundër bojkotit të Kuvendit, qëndrim që është mbështetur edhe nga deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. “Nuk jam për të bojkotuar Parlamentin, kjo do na penalizonte”, është shprehur Topalli.
Ndërsa Bregu ka vijuar “jo 22 parti, por 52 të jenë aleatët tanë, barra është e jona”. Madje duke iu drejtuar me tone të forta Bashës, Bregu ka vijuar: “Që të bëjmë bojkot a jemi gati për të nxjerrë njerëzit në rrugë? A i kemi strukturat gati? Ndaj e përsëris, jo 22 po 52 parti të kemi në koalicion, pesha duhet të jetë e jona. Pa qenë të sigurtë për protesta, as mos e përmendim bojkotin. Ose na e thuaj z.kryetar, se ti ke bërë edhe tur në rrethe. A jemi në gjendje të organizojmë protesta? Se nëse po atëhere ne duhet të ishim duke punuar me njerëzit, por druaj se nuk i mbledhim dot njerëzit në rrugë. Ndaj bojkoti duhet hequr nga fjalori”.
Ndërsa Arben Ristani mësohet të jetë shprehur se “duhet të përshkallëzojmë reagimet, me bojkot e protesta”. Me të ka replikuar Bregu që mësohet të ketë thënë se “a është në gjendje sot PD të organizojë protesta”
Kurse deputeti Aldo Bumçi ka propozuar që PD të përgatisë variantin e saj. “Duhet të përgatitim variantin tonë. Nëse e nisim, duhet ta përfundojmë aksionin. Prandaj duhet te kemi kujdes ne vendimmarrje”, është shprehur Bumçi.



