Lufta për klikime dhe misioni i harruar i gazetarit (VIDEO)

Lufta për klikime dhe misioni i harruar i gazetarit (VIDEO)

Tre vitet e fundit, numri i portaleve në Shqipëri është shtuar në mënyrë të menjëhershme. Janë hapur me qindra të reja, ndërsa ka edhe raste kur formati print është dorëzuar dhe është kthyer online. Në Shqipëri operojnë rreth 800 portale. Gara e tyre për klikime shoqërohet me një mungesë të theksuar të cilësisë së lajmeve që ato publikojnë.

Në garën e fortë për klikime, kontrolli dobësohet dhe etika shpesh shkelet.

Megjithatë, kjo lojë pothuajse pa rregulla nuk mund të vijojë pa fund. Në një moment, lexuesi ndan se nga kush duhet të informohet dhe nga kush jo.

Presioni i kohës e shtyn një gazetar që shpesh të publikojë lajme pa i verifikuar. Por kjo përveç keqinformimit, mund të dëmtojë personat e përfshirë. Paditë për shpifje në Shqipëri kanë qenë domen kryesisht i njerëzve të politikës. Kjo ka krijuar njëfarë frike, duke e zhvendosur mungesën e verifikimit të lajmit te personazhet e shoubizit. 

Në Shqipëri, një pjesë e madhe e portaleve funksionojnë sipas parimit zinxhir. Mjafton që një lajm të publikohet diku, për t’u shfaqur më pas në shumicën e rasteve me pikë e presje njësoj, në disa portale të tjera. Në këtë mënyrë, keqinformimi merr përmasa akoma më të mëdha.

Nëse televizoni e pasuron lajmin me anë të videove, intervistave, pamjeve, media online zgjedh të përthithë audiencën me anë të titujve dhe fotove sa më tërheqëse, në mënyrë që ky lajm të zgjojë kuriozitetin e lexuesit.

Titujt e fryrë hidhen si “grepa” në rrjetet sociale, shpeshherë edhe pa lidhje me përmbajtjen e lajmit, me një qëllim të vetëm: thithjen e menjëhershme të lexuesve. Nëse lexuesi kufizohet vetëm te titulli dhe nuk bën hapin tjetër, atëherë mbetet qartësisht i keqinformuar dhe kjo qëllimisht.

Por kjo lojë ka edhe anën tjetër të medaljes. Lexuesi që e kupton këtë strategji, zgjedh të bojkotojë këtë lloj medie. Ngjan sikur media dhe vetë lexuesi janë në një periudhë tranzicioni, e krijuar befas nga mundësitë e pafundme që sjell teknologjia.

Lajmet e shoubizit janë edhe kategoria me të cilat abuzohet më tepër, duke qenë se tërheqin më lehtë vëmendjen dhe i drejtohen një audience më të gjerë. Janë pikërisht lajme të tilla që zgjojnë kërshërinë e lexuesit dhe për pasojë kanë edhe numrin më të lartë të klikimeve. Pikërisht për këtë arsye, emrat e përmendur në lajme të kësaj natyre mund të kthehen në idhuj për një kategori të caktuar lexuesi.    

Por a kemi ne një gazetari të mirëfilltë shoubizi? E sigurt është se siç ndodh për shumë gjëra të tjera, modelin përpiqemi ta gjejmë jashtë kufijve të vendit. Gazetarët e shoubizit shohin si model orientimi mediat e huaja, kryesisht ato italiane. Megjithatë, pa ia dalë t’i qëndrojnë besnikë një modeli të tillë, pra duke kopjuar keq.   

Në një kaos të tillë informativ, lind pyetja: a duhet ta edukojë media lexuesin, apo të ndjekë prirjet e masës, duke i servirur lajme të tilla. Mos vallë, për hir të klikimeve, portalet në Shqipëri kanë krijuar një lexues deri diku dembel, që argëtohet me lajmet e lehta dhe nuk shkon kollaj te ato që në të vërtetë e prekin atë drejpërdrejt.

A mund të shpresojmë se ndryshimet ligjore që ka propozuar qeveria për median online mund ta rregullojnë këtë treg? Për profesionistët e medias, këto ndryshime kanë të bëjnë më shumë me politikën.

Për Këshillin Shqiptar të Medias, shkeljet nuk janë të pakta.

Një tjetër aspekt ku gara e medias online ka sjellë pasoja negative është gjuha shqipe. Çdo formë e gabuar e të shprehurit apo të shkruarit ka tendencën të rrënjoset te lexuesi, sidomos ai i moshës së re.

Për kreun e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Cipa, keto shkelje janë pasojë e mungesës së filtrave, qoftë në punësimin e gazetarëve të rinj, qoftë në kontrollin redaksional.

Pavarësisht se media duhet të jetë pushteti i katërt, gazetarët duket se kanë harruar misionin e tyre të vërtetë: informimin dhe mbrojtjen e publikut.  

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy