Vetëvarja e 22-vjeçarit Estref Halili dy ditë më parë në burgun e Rrogozhinës, solli reagime të shumta në publik, mbi të gjitha lidhur me arrestimin dhe dënimin e tij, i kapur me 3 gram kanabis sativa.
Këtë radhë ka folur për News24, shoku i tij i qelisë Fazli Mehaj i cili ka shpjeguar gjendjen emocionale në të cilën ndodhej 22-vjeçari gjatë ditëve të fundit.
Ai thotë se Estrefi ishte gjithë kohën i mërzitur, pasi kishte frikë mos dënohej me 3 vite burg si herën e parë.
23-vjeçari Fazlli Mehaj, i dënuar me tre vite burg pasi u kap me një cigare hashashi, rrëfen momentet sesi e gjeti të varur në tualetin e burgut shokun e tij të qelisë.
“Çastet e fundit me të, ishin deri në pasdite. Pas orës 6 ditën e martë, ishim në korridor po pinim cigare, ishte i mërzitur për dënimin, kishte frikë se dhe 3 vite burg si herën e parë. Hyra në dhomë, ai hyri në banjë për të bërë dush. Pas pak shkova në banjë, i rashë derës, po nuk përgjigjej. Nuk fliste njeri, dera ishte gjysmë e thyer, pashë këmbët e varura, e theva derën. I dhamë ndihmë, por ishte e pamundur. E kam zbuluar unë i pari qe kishte vdekur. Pasi e nxorëm trupin, erdhën gardianët. Këtu nuk të ndihmon njeri, nuk pyesin për ne. Janë gjëra që mund të na ndodhin të gjithëve, nuk ka asnjë kusht. Jemi të mbuluar nga lagështira, na mbushet dhoma me ujë”, rrëfen Mehaj.
Familja e 22-vjeçarit përcolli dje në banesën e fundit të riun, ndërsa janë ende të paqartë pse djali i tyre vendosi të ikte kështu nga kjo botë.



