Qeveria e Kosovës ka refuzuar ndërtimin e një gazsjellësi, projekt i propozuar nga Agjencia Federale Amerikane “Sfidat e Mijëvjeçarit”.
Gazjsellësi do të ndërtohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ku më pas do të lidhej me gazsjellës të tjerë që përshkojnë shtetin grek, një prej tyre edhe Gazsjellësi Trans-Adriatik, TAP, i cili shtrihet edhe në Shqipëri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se afatet e kufizuara të Agjencisë amerikane për zbatimin e programit nuk i japin mjaftueshëm kohë qeverisë për të shqyrtuar nëse ky gazsjellës është opsioni më i mirë për Kosovën.
Vendimi i qeverisë u kundërshtua menjëherë nga opozita në vend. Lidhja Demokratike thotë se me refuzimin e projektit amerikan, Kosova humbi 200 milionë dollarë dhe ka dëmtuar interesat shqiptare në rajon.
Përveçse, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant - fonde falë - për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë. Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ngre dyshime për një takim të kryeministrit Albin Kurtit me drejtues të kompanisë ruse Gazprom, gjatë vizitës të zhvilluar së fundmi në Greqi, çka mund të ketë ndikuar në refuzimin e projektit amerikan.
Vendimi i qeverisë së Kosovës është përshëndetur deri më tani vetëm nga Viola von Cramon, raportuesja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian, e cila e cilëson aktin në përputhje me Planin e Gjelbër Europian.
Kosova është ndër shtetet e vetme në rajon, ku nuk kalon ende asnjë gazsjellës.



