
Në një konferencë për rolin dhe politikën e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones u shpreh se Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse, ndërsa nuk ka lejuar që Kina të mund të blejë pushtet në territorin e saj duke shpenzuar miliona në asete. Moses gjithashtu i është referuar Iranit dhe përpjekjeve të këtij shteti për të sulmuar muxhahedinët, të cilët qëndrojnë në Shqipëri. Moses –Ones foli edhe për aktorët e tjerë të interesuar për të influencuar në Ballkanin Perëndimor.
“Ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Shqyrtojini ofertat e tyre përpara së t’i pranoni ato. Për Rusinë, Kinën e Iranin, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet e më pas të flaket tej. Nuk ka asgjë jashtë kësaj liste në qëllimet e tyre. Ata kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen, me oligarkitë e korruptuara”.
“Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës, se disa gjëra nuk janë për shitje, ka refuzuar makinacionet ruse dhe ka treguar që nuk do tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur të mbajë qëndrime parimore. Duam që ju të jeni të lirë dhe të barabartë. Është e vërtetë që rruga që ofrojmë është e vështirë me standarde e pritshmëri, por që çon në një Ballkan Perëndimor të lulëzuar, njerëzit e të cilit janë krenarë për atë që përfaqësojnë”, deklaroi e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones në Konferencën “Politika Amerikane në Ballkanin Perëndimor”.
Duke folur për mbledhjen e Këshillit Europian dhe shtyrjen e hapjes së negociatave, Moses Ones, tha se, “Vendimi i 18 tetorit të KE për zgjerimin është komentuar gjatë. Shqipëria është një vend kandidat, kjo nuk ka ndryshuar. Puna që duhet të bëhet nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë një vend në radhët e BE-së duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por reforma zgjedhore është bërë projekt kombëtar. Drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës së përbashkët”.
Sa i takon angazhimit të Shqipërisë në NATO, Moses-Ones u shpreh se, “Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj, kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuaj të gjitha vendet e tjera europiane. Shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e përbashkët”.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, deklaroi se Shqipëria ka rrugën e saj të vetme drejt Bashkimit Europian dhe aleancës strategjike me SHBA.
“Shqipëria nuk ka rrugë apo alternativë tjetër përveçse të ecë në rrugën e vetme që ka piketuar historia jonë dhe që është trashëguar si amanet në gjithë vetëdijen e kombit, rruga drejt Bashkimit Europian dhe aleancës strategjike me SHBA-në” deklaroi sot kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën mbi politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Kjo sipas, kryeministrit Rama, mbetet e padiskutueshme, pasi në fund të ditës, ajo që të gjithë ne kuptojmë është se nuk i bëjmë reformat as për SHBA-në dhe as për BE-në, por për vetë shoqërinë tonë.
“Ne nuk i kërkojmë nga vetja të gjitha ndryshimet e domosdoshme dhe nuk jemi të angazhuar me aleatët tanë në këto procese të ndërlikuara, sepse na kërkohet nga ata, por sepse i kërkon destinacioni ynë historik, që është krijimi i një shteti modern europian me të gjitha standardet demokratike dhe institucionet funksionale”, tha Rama.
Në këtë aspekt, ai theksoi se “mungesa e dhënies së një vendimi të merituar për Shqipërinë, pa asnjë diskutim që na ka goditur psikologjikisht për një moment të gjithë, sepse “Po-ja” e BE-së është një burim energjie për të çuar para reformat, por në pikëpamjen faktike nuk ka ndryshuar asgjë, sepse janë të njëjtat gjëra që Shqipëria duhet të bënte para se të merrte “Po-në”, të njëjtat gjëra duhet të bëjë pavarësisht nëse “Po-ja” vjen apo nuk vjen muajt e ardhshëm. Kjo nuk varet nga Shqipëria, nga çfarë bëjmë ne, por me atë që duan apo nuk duan të bëjnë ata në perspektivën e Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.



