
Liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është dënuar me katër vjet burg. Ky është vetëm një nga disa dënime të pritshme që mund ta burgosin atë përjetë.
Ajo u shpall fajtore për akuzën e nxitjes së mosmarrëveshjes dhe thyerjes së rregullave të Covid, në kushtet e një ligji për fatkeqësitë natyrore.
Suu Kyi përballet me 11 akuza në total, të cilat janë dënuar gjerësisht si të padrejta. Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat.
Ajo ka qenë në arrest shtëpiak që nga grushti i shtetit në shkurt, kur ushtria përmbysi qeverinë e saj të zgjedhur civile.
Amnesty International i quajti akuzat "false", duke thënë se ishte "shembulli më i fundit i vendosmërisë së ushtrisë për të eliminuar të gjithë opozitën dhe për të shtypur liritë në Mianmar".
Suu Kyi do të dalë në gjykatë më 14 dhjetor, kur do të përballet me akuzat për posedim të paligjshëm të disa mjeteve komunikimi radio.
76-vjeçarja ka në ngarkim një sërë akuzash, duke përfshirë akuza të shumta për korrupsion dhe shkelje të aktit të sekretit zyrtar.
Një ikonë që humbi shkëlqimin
Aung San Suu Kyi kaloi gati 15 vjet në paraburgim në duart e ushtrisë midis 1989 dhe 2010 dhe u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj për të sjellë demokracinë në Mianmar.
Partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) fitoi bindshëm në vitin 2015, por ajo u pengua të bëhej vetë presidente. Kjo për shkak të rregullores, e cila përjashton nga marrja e postit individët me fëmijë që kanë shtetësi të huaj. Ajo konsiderohej si sundimtarja de fakto e vendit.
Megjithatë, reputacioni i saj jashtë vendit u dëmtua rëndë nga mënyra se si ajo e trajtoi krizën Rohingya, e cila filloi në 2017.
Në vitin 2019, zonja Suu Kyi u paraqit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të OKB-së për të mbrojtur vendin e saj kundër akuzave për gjenocid.



