
Emmanuel Macron pritet të fitojë një mandat të dytë si president i Francës. Megjithatë, më shumë sesa sukses i merituar, fitorja e pritshme e tij është tregues i mungesës së ofertës politike. Në studion e lajmeve të MCN TV, analisti Genc Burimi tha se Macron po votohet sepse francezët nuk kanë kë të votojnë tjetër.
Macroni nuk është më i pëlqyer, por më pak i urryeri se të gjithë të tjerët të marrë së bashku. Është tregues i mungesës së ofertës politike, si në Shqipëri. Sondazhet favorizojnë si të dytën Marine Le Pen. Në vend të tretë është Melenchon, nuk mund të themi që në Francë ka shumë njerëz pro ekstremit të majtë. Pra, pas Macronit ka një shkretëtirë. Ai po votohet sepse nuk ka të tjerë për t’u votuar. Duke u fshehur pas krizës në Ukrainë, ai evitoi përfshirjen në debate, në një kohë kur problemi kryesor është ekonomia. Macroni nuk ka një shkop magjik. E vetmja mundësi që ka është të reduktojë shpenzime në një fushë, në mënyrë që të financojë shtresat e varfra. E vetmja ku mund të kapet është politika e pensionit. Në Francë dilet në pension 62 vjeç, duhet të shkojë në 65 vjeç.



