Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me Brexit. Kjo pasi Mbretëria e Bashkuar refuzoi të hiqte dorë nga planet për të anashkaluar pjesët e marrëveshjes së saj të divorcit Brexit.
BE vendosi të ndërmerte këtë hap pasi të mërkurën ishte afati i fundit për Mbretërinë e Bashkuar për të hequr pjesët e Projektligjit të Tregut të Brendshëm.
Mbretëria e Bashkuar është njoftuar me një letër zyrtare se BE do ta çojë çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjykata e lartë e BE-së. Për këtë Mbretëria e Bashkuar tha se do t’i përgjigjej letrës zyrtare ‘në kohën e duhur’.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se MB do të kishte kohë deri në fund të nëntorit për t'iu përgjigjur shqetësimeve të BE mbi projekt-legjislacionin.
Sidoqoftë, BE do të vazhdojë bisedimet mbi një marrëveshje tregtare pas Brexit në Bruksel. Kryeministri Boris Johnson ka thënë që të dy palët duhet të "lëvizin përpara" edhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje deri në mesin e nëntorit.



