Policia e Spanjës ka nisur një hetim pas shqetësimit te ngritur nga dhjetëra vajza për modifikimin e imazheve të tyre përmes inteligjencës artificiale. Prindërit që kanë denoncuar rastet thonë se në smartfonet e vajzave të tyre janë dërguar nga bashkëmoshatarët foto ku ato janë të zhveshura.
Sipas hetuesve fotot janë vjedhur në rrjetet sociale të vajzave dhe përmes inteligjencës artificiale ato janë modifikuar duke I shfaqur të zhveshura. Megjithatë prindërit tejet të shqetësuar, për të sensibilizuar rrjetin kanë shpërndarë fotot reale në të cilat vajzat janë tërësisht të veshura për të bërë edhe krahasimin me ato qe ishin modifikuar në aplikacion.
“Montazhet janë super realiste dhe shumë shqetësuese. Vajza ime më tha me shumë neveri: ‘Mami, shiko çfarë më kanë bërë’. Vajza ime është shantazhuar pasi një djalë I kërkoi para për të mos i shpërndarë imazhet. Ju nuk jeni në dijeni të dëmit që u keni bërë këtyre vajzave dhe gjithashtu nuk jeni në dijeni të krimit që keni kryer”, tha Miriam Al Adib, një prind.
Për këtë rast kanë reaguar edhe një sërë përfaqësuesish politikë në Spanjë të cilët e konsiderojnë një tjetër rast dhune me baze gjinore që po përhapet gjithnjë e më tepër tek target grup.
Ndërsa profesori i të drejtës penale në Universitetin Autonom të Madridit, Manuel Cancio vë në pikëpyetje nëse një vepër e tillë dënohet apo jo si krim.
"Pyetja është nëse kjo gjë duhet të dënohet dhe një tjetër është nëse mund të dënohet sipas mënyrës se si është hartuar ligji në Spanjë dhe në vendet e tjera të BE-së. Meqenëse është krijuar nga deepfake, privatësia aktuale e personit në fjalë nuk preket. Efekti që ka për viktimën mund të jetë shumë i ngjashëm me një foto të vërtetë nudo, por ligji është një hap prapa”, tha Cancio.
Modifikime të tilla sipas ekspertëve të inteligjencës artificiale u kryen përmes aplikacionit ClothOff. Me sloganin “zhvesh këdo, zhvesh vajzat falas” dhe ky aplikacion u lejon përdoruesve t’i heqin rrobat secilit që shfaqet në galerinë e fotografive të telefonit të tyre dhe kushton vetëm 10 euro për 25 imazhe. Me gjithë diskutimin e ekspertëve nëse një vepër e tillë mund të klasifikohet si krim ose jo ata thonë se dënimi në këtë rast mund të jetë pesë deri në nëntë vite burg.



