Kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai është paraqitur sot në SPAK. Është hera e dytë që Isai thirret në SPAK në lidhje me hetimet për tenderin e rrugës Ersekë-Korçë.
Deri më tani Isai është pyetur vetëm si person në dijeni të rrethanave të hetimit, dhe s'ka ende një akuzë ndaj tij.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live tha:
“Hetimet për tenderin e rrugës Ersekë-Korçë, kanë sjellë për herë të dytë në SPAK kryebashkiakun Erion Isai. Ai tha për mediat se s’ka një përgjigje. ‘Ishte këndshëm’, është përgjigjur Isai, ndërsa hetimet për aksin Ersekë-Korçë, i është bashkëngjitur një tjetër kallëzim nga juristi dhe politikani Esmerlad Xhafa. Hetimet po ndiqen nga SPAK për të kuptuar nëse për shpronësime ka apo jo shkelje ligjore dhe ka apo jo dijeni z.Isai. Deri në këto momente ai është person në dijeni të rrethanave të hetimit dhe s’ka një cilësi të posaçme nga SPAK”.
Përveç tij, në Prokurorinë e Posaçme janë kallëzuar edhe Spiro Zoto ish pronar dhe administratori i Rehovari shpk, Euljon Hasko administrator dhe pronar i Rehovari shpk., anëtarët e njësisë së Prokurimit për vitin 2022, 2023, 2024 dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për vitet 2022 2023, 2024, për të njejtat vepra penale.
“Në fakt nga hulumtimet e kryera në tenderat e prokuruara nga ana e Bashkisë Kolonjë rezulton që për fat të keq pjesa më e madhe e tyre për të mos thënë të gjitha janë me flamur të Kuq, që do të thotë se kanë problem. Nëse do ti shohim tenderat e zhvilluara nga ana e Bashkisë Kolonjë, janë në vlera të Konsiderueshme por ndarja e tyre është bërë e paracaktuar, dhe se punimet e prokuruara nuk janë kryer me cilësi apo sipas projektit të hartuar nga ana e Autoritetit Kontraktor, apo edhe të mos jenë kryer fare por janë Procedura për të futur lekë nga buxheti i shtetit në xhepat e tyre drejtues të Bashkisë Kolonjë. Rezulton që me ardhjen në drejtimin e Bashkisë Kolonjë qeveria është treguar zemërgjerë duke i alokuar miliona euro për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, për ujësjellësa, për ndërtime shkollash, për fasada pallatesh etj. etj., si dhe në Bashkëpunim edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë rindërtuar disa rrugë të cilat për fat të keq janë prishur ende pa mbushur vitin siç është edhe rruga që të çon në Llixhat e Sarandaporit Leskovik. Duke studiuar këto procedura nisur edhe nga ankesat që qytetarët kishin , por për shkak se janë të trembur pasi kërcënohen me heqje nga puna më rezultuan shumë raste të procedurave të cilat janë kryer dhe punimet ose nuk janë kryer fare , ose janë kryer pa cilësi dhe duke mos iu përmbajtur specifikimeve teknike që këto kanë patur. Rasti më flagrant është rasti i Rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtim prita Malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjëviti 2023”, thuhet në kallëzim.



