Pas skandalit të ngacmimeve seksuale, Harvey Weinstein po përballet me divorcin nga e shoqja. Ai dhe Georgina Chapman kanë arritur më në fund një marrëveshje për ndarjen e pasurive. Sipas “New York Post”, producenti i Hollivudit do t’i paguajë të shoqes 300 mijë dollarë në vit. Pas 10 vitesh, kjo shumë do të shkojë në 400 mijë. Ndërkohë, Chapman mban një shtëpi me vlerë 15 milionë dollarë në West Village, New York, dhe një tjetër me vlerë 12 milionë dollarë në Hamptons.
65-vjeçari Weinstein dhe gruaja e tij 41-vjeçare e bënë publik lajmin e ndarjes në tetor, vetëm pak ditë pasi ndaj producentit dolën akuzat e para për ngacmime seksuale.
Ata kanë dy fëmijë, 7 dhe 4 vjeç, kujdestaria e të cilëve i është dhënë nënës.
Pasuria e Weinstein vlerësohet rreth 240 milionë dollarë, megjithatë një pjesë e madhe e tyre është shpenzuar për avokatë dhe hetues privatë pas denoncimeve që shumë aktore të Hollivudit bënë ndaj producentit.



