Nga Ina Gjonçi
Janë kualifikuar 8 kompani për ndërtimin e pallateve të reja .Gati punimet edhe për 3 shkollat e reja
Ja një titull, nga ata me thonjëza, pra një titull-citat, një frazë e cituar. Nuk do rrimë të bëjmë gjëegjëza se nga kush,pasi është krejt e qartë që me pjesën e zgjerimit të qytetit vertikalisht, merret Kryetari. Themi zgjerim vertikalisht pasi ne rajon, jemi vendi me përqendrimin më të madh të popullatës për kilometër katror. Dhe nëse Brukseli e ka lartësinë mesatare 13 metra , ne e kemi 110. Tani llogarite bëjini vetë ju: ne nuk zgjerohemi horizontalisht, po hipim lart pra vertikalisht. Po këto janë shifra e me këto ne nuk merremi; pffff. Ne s’po merremi me sa lekë kemi në xhep jo po më me sa lart është Brukseli e sa lart jemi ne. Thënë kjo, sa bukur është ndërtuar kjo fjali, madje edhe kur është thënë, duhet të jetë thënë me një ritëm të dyfishtë: pjesa e parë e tetë kompanive që do ndërtojnë x pallate të reja-kujdes? nuk thuhet kurrë sa, se pale' ç'del rrugës-është thënë shpejt e shpejt, dhe plot tre shkolla të reja, ËSHTË THËNË AQ NGADALË , sa...do ta kishte zili edhe vetë interpretimi i Naim Frashërit. Tetë kompani, ca pallate, a një a dy, a 200, nuk e dimë, është si puna e fallxhoreve-të mbajnë në suspansë për kur do ta njohësh njeriun e jetës- por ama, këto tetë kompani do ndërtojnë plot 3 shkolla. Plot tre shkolla. Ju vetëm këtë mbani mend, se dhe Kryetari këtë do qe ju të mbani mend: plot tre shkolla. Tre! Tre! Tre!
Stres nga mungesa e udhëtimeve/Pandemia ndërpreu çdo mundësi për të udhëtuar jashtë vendit
Në fillim, në fakt, më bëri përshtypje ky titull, se thashë ç'është ky stres kaq i madh, kur sondazhet thonë që në Shqipëri një përqindje e majme nuk bëjnë pushime fare. Po fare fare. As edhe një ditë orë. Një drekë në fundjavë jashtë qytetit, atë quajnë pushime, e postojnë edhe në Facebook, t’u mbyllin gojët fqinjëve e fisit, e vate kjo punë. Mendoni pastaj, sa për qind kanë mundësi të pushojnë jashtë. Pastaj u kujtova: nëse në kohë normale Dhërmiu është rrotë me rrotë me Barcelonën në çmime, mendo kur të kanë zënë si miu në çark, brenda në Shqipëri. Stresi nuk vjen nga mos vajtja jashtë, vjen nga çfarë të ofrojnë këtu brenda: rizoto me midhje, ku të vjen një pjatë me midhje në të cilat është fshehur rizoto-mirë që nuk të vënë dhe një hartë anash pjatës, për ndihmë-midhje shqeto, ku hap guaskën për të gjetur vetë midhjen, ujë i ftohtë që nga pritja vjen në temperaturë ambienti, vonesë 45 minuta aq sa ti i ke shpalosur aftësitë e tua në vajosjen e kriposjen e bukës, dhe je i ngopur tashmë, të gjitha këto me çmimin modest prej 90 mijë lekësh, vetë i dytë.
Pra për ta përmbledhur, ky titull fantastik do lexuar mes rreshtave: ky lajm që na shitet si një stres i përbindshëm nga pamundësia për të eksploruar gjire të virgjëra jashtë kufijve, është thjesht ajo koca e Dhërmiut bashkë me çmimin që ia del ta kapërdish plotësisht, andej nga tetori. Por fundja çfarë rëndësie ka kjo, përballë hashtagut #pushoshqip (dhe pa muzikë)
Librazhd, një punëtor humb jetën duke punuar në një banesë
Ka nga ata njerëz që në pamundësi për t’u ngritur vertikalisht, duke punuar në të bardhë, përmes kompanisë së ndërtimit, kanë luksin të punojnë në të zezë. Po, po luksin, se jo kushdo, e ka këtë luks. Tani, lajmi vazhdon me sqarimin përkatës se nuk është hapur asnjë hetim, përkundrejt kompanisë, pasi, zotëria nuk rezulton se punon aty. Është e vërtetë që ai ka punuar aty, madje është aq e vërtetë, -me gjithë respektin, ndjeshmërinë dhe mendimin që shkon për të dhe familjarët e tij- sa ai, ka lënë edhe jetën aty, por ja që në letra, rezulton ndryshe. Dëshira për të mos patur një kontratë ka qenë e tija, thonë drejtuesit e kompanisë: patjetër, e kush nuk ka dëshirë të punojë në pasiguri të plotë pa sigurime dhe pa kontratë, kush? Është mbresëlënëse po ta mendosh, ai ka zgjedhur vetë mos figurojë, dokumentacioni e vërteton këtë, dhe kështu...!!!! Në Shqipëri mund të jesh një Cyrano de Bergerac: një personazh tragji-komik që tha: isha gjithçka, isha asgjë! Por ama' në rastin tonë, personi e zgjedh vetë, të jetë 'asgjë'., më falni 'gjithçka' doja të thosha. ç
R.I.P
Psikologët të papunë. Ministria e Arsimit, nuk i afron nëpër shkolla
Pfff, c'patetizëm. Po pse ti afrojë? Pse? Që të afrosh psikologë shkollave, duhet të ketë probleme. Shkollat tona kanë probleme? Jo! Ne po ndërtojmë-ne, d.m.th. ata- tre të reja, ju thoni që kanë probleme? Nëpër botë ndodh ndryshe? Në jemi sipër botës. Plot 110 metra, vertikalisht. Shkolla, dhe mbi të gjitha mësuesit, e emëruar në sajë të një meritokracie të pashoqe, kanë marrë edhe mendimin unanim të nxënësve që nuk ka asnjë problem, e çdo gjë shkon mirë. Në një vend si yni me kaq pak dhunë në familje, me një respekt e përkushtim ndaj gruas, me një dëshirë të vetë mësuesve për të punuar, probleme nuk ka. Ndaj mendohet që në Shqipëri, 'psikologu' do jetë një specie në zhdukje, për të vegjël, por edhe për të rritur, mendohet!
Ndotja e ajrit, rrit mundësitë për qasje ndaj depresionit
Një titull, që nuk na përket aspak në fakt, por e paksa thënë një studim i një Universiteti në Amerikë. Po t'i bashkangjisim, lajme me tituj si 'Shqipëria, vendi me ajrin më të ndotur në rajon' i bie që ato spazmat që kemi në momente të caktuara, nuk e kanë zanafillën tek 'kush e di ca dreqin kam'...Jo jo, ti jeton në një vend, ku çdo stinë, hapet një tender i ri, për një rrugë ë cila stinën që shkoi u rregullua një herë po me anë të një tenderi. E vërtetë që kjo krijon trafik, zhurmë, pluhur, dhe një lëvizje të pashpjegueshme qepalle ne sytë e shqiptarëve, ose atë 'pse lëviz makina pa u nis?' 'jo, është këmba ime' përgjigjet tjetri. Kurrsesi, nuk mund te mendohet që të kenë lidhje me njëra tjetrën këto lajme. Edhe sikur te jetë kështu, jua kemi thënë që qeveria na kalit: duke kaluar me sukses çaste të vështira, ne do kemi mundësinë të fitojmë diçka të jashtëzakonshme. Jo, nuk janë paratë! Jo, nuk është rritja e rrogave. Miq, është aftësia, që një ditë, të tejkalojmë me sukses, çaste edhe më të vështira!
Lajmi pa koment.
'Ndotja akustike, si zhurma e kantiereve të punës, zhurma e trafikut te renduar, rrit mundësitë për qasje ndaj depresionit'



