Prej 9 ditësh, Greqia po lufton me zjarret që kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të vendit, megjithëse situata mbetet veçanërisht e vështirë në Rodos, ku mbrojtja civile greke ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë ishullin. Përpjekjet e zjarrfikësve janë përqendruar në zonën e vendbanimeve Malonas, Vati dhe Gennadi, në anën juglindore, siç shkruan faqja e medias greke Kathimerini. Vatrat e zjarrit vijojnë të jetë aktive edhe në Korfuz. Dje, në Evia, një burrë u dogj nga flakët dhe një helikopter Canadair u rrëzua me dy persona në bord, që u gjetën të vdekur pak orë më vonë.



