
Themeluesi i Lëvizjes 5 Yjet në Itali, Beppe Grillo, mund të hapë një debat të ri me postimin e tij të fundit në blogun e tij.
"Thjesht ka shumë votues të vjetër në moshë dhe numri i tyre po rritet. Votimi nuk duhet të jetë një privilegj i përhershëm, por një pjesëmarrje në fatin e vazhdueshëm të bashkësisë politike, si në përfitimet e tij, ashtu edhe në rreziqet e tij". Duke cituar një artikull të botuar nga “New Republic” në vitin 1970, Grillo ka lëshuar kështu provokimin e fundit: "Po nëse u heqim të moshuarve të drejtën e votës?". Ky është titulli i postimit në blogun e tij.
Ky propozim vjen pikërisht në momentin kur debati mbi mundësinë e shtrirjes së të drejtës së votës edhe te të rinjtë e moshës 16 vjeç e sipër po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje. "Në një botë gjithnjë e më të moshuar, ekspertë, studiues dhe politikanë propozojnë të ulin moshën e votimit (e propozova këtë para ca vitesh)”, shkruan komediani që i hyri politikës disa vite më parë. “Por çfarë duhet të bëjnë demokracitë kur interesat e të moshuarve janë në kundërshtim me interesat e brezit të ri?".
Sipas Grillos, ideja për heqjen e votës të moshuarve, "vjen nga supozimi se pasi arrihet një moshë e caktuar, qytetarët shqetësohen më pak për të ardhmen sociale, politike dhe ekonomike sesa gjeneratat e reja, dhe janë shumë më pak të prirur të mendojnë për pasojat afatgjata të vendimeve politike".
"Në atë rast, votat e tyre duhet të eliminohen krejtësisht, për të siguruar që e ardhmja të formësohet nga ata që kanë interes real për të parë të realizuar modelin e tyre shoqëror”, thuhet më tej në postim.
“Votuesit, në një masë e madhe, nxiten nga interesi personal dhe pjesëmarrja relativisht e ulët e votuesve të rinj mund të shkaktohet pjesërisht nga fakti se ata ndihen të huaj në një sistem politik të drejtuar nga njerëz që nuk i përshtaten natyrës së tyre”.
Grillo nuk jep një përkufizim të asaj se cilët futen në kategorinë e të moshuarve. Por ai citon dy parametra të Institutit Italian të Statistikave: në Itali njerëzit mbi 65 vjeç, afër moshës së pensionit, ose që tashmë e kanë lënë punën, aktualisht janë mbi 13 milionë e gjysmë. Klasa më e madhe është ajo e mes 65 dhe 69 vjeç, por 17.63% e tyre janë mbi këtë moshë. Në vitin 2015, një anketë e këtij instituti zbuloi se pas moshës 65 vjeç, një në pesë persona nuk është më i interesuar për politikë dhe asnjëherë nuk flet për këtë temë. Kjo përqindje rritet te moshat mbi 75 vjeç. Një në tre prej tyre nuk ka më interes për politikën dhe vendimet që ajo merr.
Sidoqoftë, në të dy rastet, edhe vetë Beppe Grillo do të privohej nga e drejta e votës (ai është 70 vjeç). “A do të ishte e drejtë të privosh qytetarët e moshuar nga e drejta e votës?”, pyet Grillo në mënyrë retorike.
Përgjigja: "Kundërargumenti i parë do të ishte ai i diskriminimit mbi bazë moshe. Por kjo është false pasi për të patur diskriminim, duhet të ketë një trajtim të ndryshëm midis dy ose më shumë grupeve / identiteteve bazuar në disa karakteristika arbitrare. Në këtë rast, politikat e diferencuara moshore nuk e ndajnë popullsinë në dy ose më shumë grupe, pasi në fund të gjithë jemi të moshuar. Pra, nuk ka padrejtësi". Debati mbetet i hapur. / Corriere della Sera /



