Analisti Denis Dyrnjaja duke komentuar deklaratat e bëra sot nga kryedemokrati Sali Berisha, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se duhet një shkundje totale e dy sektorëve, ndërtimit dhe lojërave të fatit.
Dyrnjaja po ashtu vuri në dukje se Korporata e Investimeve Strategjike po i trajton pronat shtetërore si të ishin private. Ai citoi raporte që flasin për një treg nga 1,5 në 3 miliardë euro qarkullim në tregun informal të lojërave të fatit.
Dyrnjaja shtoi se KLSH dhe SPAK duhet ta kenë në vëmendje, pasi bëhet fjalë jo për individë, për grup të strukturuar kriminal.
“Kryeministri në hije (Berisha) është kujtuar me shumë vonesë për të bërë, le të themi, pikëzimin e shumë detajeve që janë thelbësore në raport me opozitën. Ka kaluar shumë kohë me ujëra të ndryshme, me replika të panevojshme politike, ndërkohë që sektorë si ndërtimi dhe lojërat e fatit, që sot z.Berisha i përmendi, por për ironi dhe pak humor dua të them se është shumë pas me televizionin tonë MCN, që i kemi ngritur shpesh këto tema. Unë personalisht e kam vënë shpesh gishtin në mënyrë të drejtpërdrejtë te dy sektorët dhe te Korporata e Investimeve Strategjike.
Kjo korporatë po i trajton pronat shtetërore si t’i ketë prona private. S’kemi një transparencë që të jemi të bindur se po zhvillohen gara me konkurrencë të plotë, për dhënien e mundësive bizneseve ose sipërmarrësve të ndryshëm, që shpesh herë janë sinkronizuar me humoret e kryeministrit, dhe kanë përfituar prona me vlera miliona euro, në kryeqytet dhe jo vetëm, në pika të rëndësishme të qyteteve të ndryshme. Sot thjesht e përshëndes qëndrimin e Berishës në kontekstin për të çuar vëmendjen te ndërtimi dhe lojërat e fatit.
Sipas një analize mendohet se ka një marzh fitimi në qarkullimin e parasë së zezë në lojërat e fatit, që janë të shtrirë gjerësisht në të gjitha qytetet, ku shteti s’ka kontroll, ku kemi një komision për dhënien e licencave dhe një drejtori që merret me mbikëqyrjen e lojërave të fatit, që është jashtë funksionit, dhe me veprimet ose mosveprimet e saj bëhet bashkëpunëtore, për të mos thënë që ka dyshime se është edhe vetë brenda kësaj skeme antiligjore, e cila ka nevojë të kihet në vëmendje ligjore, nga KLSH, SPAK, pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal.
Po flasim për një treg nga 1,5 në 3 miliard euro në qarkullim informal të lojërave të fatit. Te ndërtimi pastrimi i parave është gjerësisht i shtruar këmbëkryq, dhe institucione që merren me pastrimin e parave si Inteligjenca Financiare, s’na jep asnjë raport, heshtje totale, gjumë. Këto para duhet të formalizoheshin ose të kalohen përmes një kanali që i fut në sistem, apo nëse janë nga burime të paligjshme, duhet të konfiskohen dhe të kalojnë për llogari të shtetit. Kemi nevojë për një shkundje totale të dy sektorëve, dhe me të drejtë sot lideri i opozitës ka vënë theksin për të çuar atje vëmendjen”.



