Të dielën e një fund shtatori në godinën e kryeministrisë punohet.
Është viti 2013 dhe ka nisur puna për rikonstruksionin e ndërtesës me synimin për ta kthyer ashtu siç ishte nisur 8 dekada më parë nga arkitekti italian, Gherardo Bosio.
Godina dikur quhej “Pallati i Mëkëmbësisë” dhe kryeministri i sapo zgjedhur Edi Rama kërkonte që plani i rikonstruksionit të ishte i përpiktë me projektin origjinal të vitit 1940.
I lidhur ngushtë me estetikën edhe për shkak të arsimimit të tij në Akademinë e Arteve për pikturë, vëmendja kryesore që morrën shpenzimet e kryeministrisë pas marrjes të zyrës nga Edi Rama, ishte rregullimi i ambienteve, zyrave dhe sallave të konferencave.
Në fund të vitit 2013, thesari nis të ekzekutojë dhjetra pagesa për kompani që ofronin shërbimin për vendosjen e banerave, dekorin e luleve apo foninë dhe audion në mbledhjet dhe takimet madhështore të kryeministrit.
Shpenzimet për fasadën e qeverisë ndeshën kritika nga partia kundështare, e cila i kujtoi se në fushatë ishte votuar për premtimet e bëra për uljen e varfërisë, rritjen e mbështetjes sociale dhe shëndetësinë falas. Por kryeministri sqaroi se të gjitha punimet po bëheshin me kontribut vullnetar dhe se asnjë qindarkë nuk po dilte nga arka e shtetit. Dhe në këtë pikë ai nuk ka gënjyer.
Të dhënat e thesarit tregojnë se përgjatë viteve 2013 dhe 2014 nuk ka patur pagesa për punime civile të ndërtesës së Kryeministrisë, por po ashtu nuk ka një listë publike nga vullentarët që bënë rikonstruksionin si dhe plotësimin e një deklarate për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë përballë kompanive që kryen punimet.
“Çdo institucion duhet të ketë një listë të donacioneve apo sponsorizimeve. Ligji për sponsorizimet nuk i jep kaq duar të lira institucioneve në pranimin e dhuratave apo dhurimeve të tilla.Edhe palët private, qofshin këto kryeministri apo një zyrtar i lartë, do të vijë një ditë që duhet të bëjë transparencë për çdo marrëdhënie kontraktore që ka ai si palë. Duhet të tregojë kush e ble, kush e shet dhe cilët janë blerësit e pikturave të tij?”, thotë drejtorja e Open Data Albania, Aranita Brahaj.
Në vitin 2015 punimet vazhduan. Ministria e Financave u zhvendos përfundimisht nga ndërtesa e kryeminitrisë dhe oborri mori një pamje tjetër: u vesh me tapetin e barit dhe në anën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u vendos një kërpudhë gjigande, dhuratë e artistit Carsten Holler. Gjatë kësaj kohe kryeministria nisi ndërtimin e të gjithë rrjetit të sigurisë dhe komunikimit, i cili kushtoi 2 milion euro. Në hyrjen kryesore të saj vendoset edhe një strehë me drita led, zbukurim i përgatitur në prag të vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel.
Në të njëjtën datë, në kryeministri hapi dyert edhe Qendra për Transparencë dhe Dialog COD, e cila është përdorur gjerësisht që nga ajo ditë për evente, ekspozita dhe ceremoni të zyrës së Kryeministrit apo artistë që mbështeten prej saj.
Punimet nuk do të përfundonin me kaq. Në tetor të vitit 2017, Kryeminsitria nënshkruan një kontratë pa hapur zhvilluar tender dhe që nuk është publikuar asnjëherë me kompaninë AD-STAR për të kryer punime për rikonstruksionin e godinës.
E specializuar në punime të restaurimit të objekteve me vlera të monumenteve të kulturës, kompania me bazë në Gjirokastër dhe në pronësi të Alfred Çomës, faturon 1.3 milion euro punime. Punimet vazhdojnë edhe për katin nëntokësor të Kryeminsitrisë deri në vitin në 2019. Në vitin 2020, Kryeminsitria lidh sërish një kontratë konfidenciale me firmën Ad-Star për të riparuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Faturimet për kompaninë kanë vazhduar deri në fund të vitit 2022. Në total riparimet e godinës kanë kushtuar 3.44 milion euro.
“Logjika ta do që kontratat mund të klasifikohen sekret vetëm për arsye të sigurisë kombëtare. Kur vjen fjala të kryeministri mund të jetë konfidenciale cilësia e materialeve, për shembull të dyerve dhe dritareve që mos të prishen gjatë një proteste, por në asnjë mënyrë volumi dhe kosto e punimeve. Këto nuk kanë përse të mbahen sekret.” thotë redaktori i BIRN, Gjergj Erebara.
Edi Rama erdhi në qeveri duke premtuar më shumë vëmendje për të varfrit, asistencën sociale dhe shëndetësinë falas, por buxheti më i madh ka shkuar për financimin e projekteve të restaurimit të qendrave të qyteteve që kontraktohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Që prej vitit 2014 dhe deri më sot, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpenzuar 750 milion euro për projekte restauruese, Rilindjen Urbane dhe infrastrukturën në fshatra dhe qytete të ndryshme të vendit.
Stili dhe mënyra e qeverisjes së Ramës, nga një kryeministër i thjeshtë dhe sportiv, nisi të ndryshonte. Më parë ai do të fliste hapur dhe modestisht se nuk rezervonte asnjëherë bileta avioni të klasit Biznes, dhe ato i merrte vetëm për udhëtime të gjata për shkak të problemeve shëndetësore të tij. Kryeministri fotografohet njëherë duke përdorur avion charter gjatë një vizite në Kinë dhe njëherë tjetër në Turqi.
Por pas fitimit të mandatit të dytë, kujdesi i tij për shpenzimet e udhëtimeve nisi të bjerë. Në janar të vitit 2020 Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare firmos një marrëveshje me kompaninë ajrore Air Albania, ku kërkohet të merret përsipër ofrimi i shërbimit për fluturimin e kryeministrit dhe 31 vendeve të tjera që mund të duheshin për personat që do të shoqëronin atë. Marrëveshja nuk ka efekte financiare të detajuara, pasi kosto për çdo udhëtim vlerësohet nga tarifat e aeroportit ku do të jetë destinacioni, çmimi i karburantit për atë periudhë dhe gjatësia e udhëtimeve. Megjithatë në kontratë përcktohet se fatura do të paguhet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
“Transaksionet e thesarit janë të hapura dhe nuk rezultojnë të ketë pagesa qoftë nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe qoftë nga Kryeministria apo ndonjë institucion tjetër.” thotë drejtorja e Open Data Albania Aranita Brahaj.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS të publikuara nga hakerat e Homeland Justice, Kryeministri numëron 137 fluturime me charter deri në gusht të vitit 2022, udhëtime të cilat janë përdorur pothuajse në çdo dalje të tij jashtë vendit 3 vitet e fundit. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare merr mesatarisht çdo vit 1 milion euro subvencion nga buxheti i shtetit. Një pjesë e këtyre parave shkojnë për të paguar udhëtimet me charter të kryeministrit Edi Rama dhe një pjesë për të organizuar pritjet dhe darkat e delegacioneve dhe kryeministrit.
Blerjet e mishit, sallame, proshuta, alkool, verë, pije freskuese dhe shampanjave, i kushtojnë mesatarisht çdo vit 150 deri në 200 mijë euroi kësaj drejtorie. Brenda ndërtesës së kryeministrit, kryeministri ka krijuar edhe një ambient për të drekuar, i cili quhet Dhoma e Luleve dhe përdoret privatisht nga ai dhe jo nga punonjësit e tjerë të ndërtesës.
Kryeministria paguan 50 mijë euro në vit për dekorin e luleve të zyrës së kryeministrit apo tryezave të mbledhjeve të tij. Vitin e shkuar shpenzimet për udhëtime brenda dhe jashtë vendit për punonjësit e kryeministrisë kushtuan 200 mijë euro, mesatarisht 1200 euro për çdo punonjës të këtij institucioni.
“Ne kemi një sistem buxhetor i cili bazohet në programe dhe në performacë, ose në outpute/produkte. Që në fillim që jepen paratë, duhet të analizohet se çfarë do të bësh me këto para. Por në praktikë nuk ka as prioritete dhe as objektiva.” thotë ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu.
Në kohën e krizës së energjisë, Kryeministria rezulton të ketë rritur konsumin duke shpenzuar 7 mijë euro më shumë për faturat e dritave, mesatarisht 7000 mijë kilovat orë më shumë çdo muaj se një vit më parë. Shpenzimet për energjinë në vitin 2021 ishin 133 mijë euro kundrejt 140 mijë eurove të shpenzuara vitin e shkuar.
Në kulmin e krizës së çmimeve dhe kur udhëtimet e tij me charter po konsideroheshin një luks për një nga vendet më të varfra të Europës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap një tender për ndërtimin e një instalacioni druri në mjediset e kryeminsitrisë.
Objekti do të kushtonte 3.7 milion euro dhe dizanji i tij ishte përgatitur nga studio e arkitetiturës austriake “Precht”. I gjendur nën presionin e opinionit publik kryeministri u detyrua të tërhiqej nga projekti duke sqarur se në fakt do të ndërtohej një panel diellor për të prodhuar energjinë në ambientet e kryeministrisë e për të ulur shpenzimet.
“Nuk kemi as standarde institucionale. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një agjenci që ka për detyrë të kontribuajë në zhvillimin e zonave të pazhvilluara, kështu shkruhet në statuin e tij. Nuk është as fondi për fasada, siç është bërë, as fondi për të ndërtuar qendrat urbane, aq më tepër nuk është institucioni që duhet të bëjë instalacionin, por është agjencia e cila mund të përdoret më lehtë nga kryeministri.” thotë ish-zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu.
Por pavarësisht sa u deklarua, në buxhetin e këtij viti Kuvendi miratoi programin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ku parashikohej dhe shuma për projektin e “Parkut Eden” në oborrin e kryeministrisë.



