
Ardi Veliu dorëzoi zyrtarisht sot uniformën e drejtorit të policisë. Në kalimin e stafetës tek i sapoemëruari Gledis Nano ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ky i fundit paralajmëroi drejtorin e ri se do ta ketë të vështirë të arrijë nivelet e Ardi Veliut. Lidhur me deklaratën e Çuçit, gazetarja Anduena Llabani tha nga studio e lajmeve të MCN TV se mes rreshtash u la të kuptohej se Ardi Veliu nuk do të shkëputet, por do të jetë në detyra të tjera qeveritare. Llabani po ashtu theksoi se me ardhjen e Nanos në krye do të ketë reformim të Policisë së Shtetit duke shtuar se “furtuna në policinë e shtetit nuk ka mbaruar akoma”.
Intervista:
Do ta kesh shumë të vështirë të arrish rezultatet e Ardi Veliut. Ky ishte paralajmërimi i ministrit Çuçi për drejtorin e ri të policisë, Gledis Nano. Nje zyrtar i suksesshëm logjikisht duhet te vijonte detyrën jo te largohej. Përtej retorikës çfarë qëndron pas ikjes së Ardi Veliut?
Llabani: Ka qenë e papritur fjala e ministrit drejtuar vartësve. Duket se aty ka edhe nënkuptime të zyrtarit të lartë në lidhje me arritjet e Ardi Veliut. Aty mes rreshtash u tha se Veliu nuk do të shkëputet por do të jetë në detyra të tjera qeveritare. Dorëheqja e tij flitej prej 3 muajsh dhe kjo përkoi para afatit të reformimit të Policisë së Shtetit. Dihet që nuk ishte dorëheqje, por kërkesë e kryeministrit për të dhënë dorëheqjen.
A pritet të ketë largime të tjera në kupolën e policisë?
Llabani: Furtuna në policinë e shtetit nuk ka mbaruar akoma. Me ardhjen e Nanos do ketë prurje të reja dhe riorganizim të policisë jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetare që janë evidentuar si pulla të kuqe. Nano vjen nga një fushë e antiterrorit dhe informacionet që ka janë të përqendruar.
Nga informacionet që ti ke, cilat janë pikat e forta të Gledis Nanos, të cilat e bëjnë të përshtatësh për këtë detyrë të rëndësishme, pasi pak informacione ka për të në media.
Llabani: Nano ka qenë diskret në punën e tij. Ka 18 vite që punon në policinë e shtetit, është me profil të lartë por pak publik. Ka qenë drejtues i antiterrorit dhe së fundmi ka drejtuar operacione të suksesshme për fëmijët dhe gratë në Siri. Ai është trajnuar nga të huajt dhe e kanë diplomuar atë.



