Gjykata e Elbasanit ka lënë të lirë gjashtë të arrestuarit, që u vunë në pranga nga Policia nën akuzën për falsifikim të materialeve zgjedhore më 25 prill.
Seanca u zhvillua ndaj shtetasve Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku dhe Olgert Alla, ndaj të cilëve u caktua masa “Detyrim Paraqitje”.
Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”, por gjykata i caktoi një masë më të lehtë.
Sipas akuzës, gjatë procesit të këqyrjes së fletëve të votimit, rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash një apo më shumë kandidatë të subjekteve zgjedhorë dhe numër më të madh votash për një apo më shumë kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit.



