Qytetarë të 38 komunave në Kosovë po votojnë sot për kryetarët dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvende komunale. 948 qendra votimi në gjithë Kosovën kanë hapur dyert në orën 7:00 të mëngjesit, proces që do të përfundojë 19:00.
Serbët në veri të Kosovës në grup të organizuar u janë drejtuar drejt kutive të votimit. Ata janë mbledhur fillimisht para zyrës së Listës Serbe e më pas nën drejtimin e Zlatan Elekut dhe Igor Simiqit kanë vazhduar për në qendër të votimit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Kurti ka thënë se sot është një ditë shumë e rëndësishme.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetet e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës jemi dhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, ka thënë ai.
Në orët e para të mëngjesit ka votuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku. “Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste”, tha Çeku pas votimit.



