Tirana ka fituar derbin e kryeqytetit, teksa ka mposhtur minimalisht Partizanin, në sfidën e zhvilluar në “Air Albania”.
Ndeshja nisi spektaklin e tifozëve, të cilët me flakadanët e hedhur në fushë, bënë që sfida të ndalej për pak minuta. Të dyja skuadrat u shfaqën të kujdesshme, për të mos pësuar. Pas një pjese të parë jo me shumë raste, në fundin e saj do të vinte edhe goli.
Pas konsultimit me VAR-in, arbitri Eldorjan Hamiti, akordon penallti për Tiranën në minutat shtesë dhe Vesel Limaj tregohet i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin bardhebluve.
Pjesa e dytë nisi me Partizanin më kërkues, por përsëri rastet e rrezikshme munguan. Të kuqtë vetëm në fund të takimit, e bënë gjuajtjen e parë në portë, që gjithsesi nuk solli rrezik. Skuadra e Shehit e mbylli me 10 lojtarë sfidën, pasi në fund të takimit Filip Najdovski u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Me këtë fitore Tirana merr kryesimin e vetme me 14 pikë, pas 6 javëve të para, ndërsa Partizani ende nuk ka shijuar fitoren e parë për këtë sezon në kampionat dhe me humbjen e sotme mban vendin e 8-të me vetëm 4 pikë.



