
Mbyllet dosja e vrasjes së Gjergj Gjonit, 22-vjeçarit nga Gojani i Pukës, që u qëllua me armë zjarri në banesën e italianit Francesco Sicignano, ku kishte hyrë për të vjedhur. Ngjarja ndodhi në Vaprio d'Adda, periferi e Milanos, në tetor të vitit 2015.
Vendimi është dhënë nga gjykatësja e Milanos, Teresa De Pascale. Familjarët e Gjonit e kishin kundërshtuar më parë mbylljen e dosjes, rasti i të cilës u kategorizua si “vetëmbrojtje e ligjshme”.
Familjarët e 22-vjeçarit shqiptar kishin kërkuar thellimin e hetimeve. Në fillim të procesit, hetuesit kishin hedhur hipotezën se hajduti ishte vrarë pa hyrë ende në shtëpi, pasi trupi u gjet në shkallët e jashtme të banesës. Por më pas, mjeku ligjor tha se dinamika e ngjarjes mund të përputhet me versionin që ka treguar pensionisti Sicignano, i cili është shprehur se kishte qëlluar brenda shtëpisë së tij për vetëmbrojtje.
I riu është qëlluar me një plumb që i ka prekur rrëshqitazi zemrën dhe i ka kaluar në anën tjetër. Kjo mund t’i ketë lënë kohë që të dalë nga kuzhina dhe të zbresë shkallët deri në gjysmë, ku ka ndërruar jetë.
Por për familjen Gjoni dhe avokatin e tyre, i cili ka hartuar një memo prej 40 faqesh, 22-vjeçari është vrarë në shkallë, ndërsa më pas autori i vrasjes e ka marrë plumbin dhe e ka çuar në kuzhinë.
Francesco Sicignano ishte kandidat në zgjedhjet lokale në Milano vitin e kaluar. Ai ka garuar nën siglën e Forca Italias dhe ka marrë vetëm 52 vota. / La Repubblica /



