
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha Trump-it gjatë takimit të së hënës se do të nominonte Donald Trump-in për çmimin prestigjioz të Nobelit në Paqe, duke i dorëzuar udhëheqësit amerikan letrën që ai tha se ia kishte dërguar Komitetit të Nobelit.
Trump është nominuar disa herë nga njerëz brenda SHBA-së, si dhe nga politikanë jashtë vendit, por ky është vetëm një hap i vogël në procesin sekret. Mes atyre që kanë nominuar Trump-in janë edhe një grup republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA si dhe dy ligjvënës norvegjezë.
Të lartpërmendurit e nominuan Trump-in në vitin 2018 për punën e tij në lehtësimin e tensioneve bërthamore me Korenë e Veriut. Po ashtu ai u nominua sërish për çmimin në vitin 2021, lidhur me përpjekjet e tij në Lindjen e Mesme.
Nominimet duhet të dorëzohen para 1 shkurtit të çdo viti, që do të thotë se çdo nominim i kohëve të fundit nga Netanjahu do të jetë për çmimin e vitit 2026. Fituesit shpallen çdo tetor, me ceremonitë e ndarjes së çmimeve që zhvillohen më 10 dhjetor.
Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza
Netanjahu u tha gazetarëve të pranishëm në takim se SHBA-të dhe Izraeli po punonin me vende të tjera për t'u dhënë palestinezëve një "të ardhme më të mirë", duke sugjeruar që banorët e Gazës mund të shpërngulen në vendet fqinje.
“Nëse njerëzit duan të qëndrojnë, mund të qëndrojnë, por nëse duan të largohen, duhet të kenë mundësinë e largimit. Nuk duhet të jetë burg. Duhet të jetë një vend i hapur dhe t’u japë njerëzve një zgjedhje të lirë”, tha Netanjahu.
"Po punojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të gjetur vende që do të përpiqen të kuptojnë atë që thonë gjithmonë, se duan t'u japin palestinezëve një të ardhme më të mirë. Mendoj se po i afrohemi gjetjes së disa vendeve”, vijoi ai.
Në fillim të këtij viti Trump shkaktoi zemërim pasi hodhi idenë për zhvendosjen e palestinezëve dhe marrjen e Rripit për ta shndërruar atë në një Rivierë të Lindjes së Mesme, duke u shprehur se kishte pasur “bashkëpunim të shkëlqyer” për këtë çështje nga “vendet përreth”.



