Aneo Hila, ekspert turizmi, thotë se Viti i Ri mund ta bëjë Shqipërinë një destinacion të preferuar, nëse hartohen strategjitë e duhura. Hila tha në studion e MCN Informacion se festimet e Vitit të Ri në Shqipëri janë autentike, ndaj ky potencial duhet shfrytëzuar.
Në këtë periudhë të vitit nuk ka shumë të huaj që vijnë të organizuar. Ka të huaj, por nuk kemi një mekanizëm që ta matim saktësisht. Viti i Ri nuk është aq popullor në vendet e tjera të Europës siç është në Shqipëri. Do të doja që ne ta bënim brand dhe të bëheshim destinacion. Nëse flasim për eksperienca autentike, Vitin e Ri e zotërojmë.
Lidhur me çmimet në Shqipëri gjatë sezonit dimëror, Hila tha se bizneset duhet të bëjnë kujdes.
Nuk ekziston një mekanizëm, por kjo ngelet në duart e subjekteve të jenë të kujdesshëm me mënyrën si bëjnë biznes. Në momentin që shfrytëzojnë momente të tilla, largohen masat.
Për pushuesit që pëlqejnë borën, ai dha disa sugjerime.
Për ata që duan borën, alpet e Zvicrës dhe Austrisë janë fantastike. Mund ta bësh edhe me makinën tënde duke shkuar në Mavrov, Kolashin, Dardhë.



